Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka akuzuar Danimarkën se e ka lënë Groenlandën të pambrojtur ndaj inkursioneve të supozuara nga Kina dhe Rusia, pasi ai i kërkoi popullit të saj të "lidhë një marrëveshje" me SHBA-në.
Sipas mediave të huaja, duke folur gjatë një vizite në ishullin e Arktikut, Vance minimizoi kërcënimet e fundit nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për të marrë nën kontroll ishullin me forcë.
Në vend të kësaj, ai u kërkoi groenlandezëve të ndërpresin lidhjet me Danimarkën, e cila ka në pronësi ishullin për më shumë se 300 vjet, duke thënë se nuk kishte investuar mjaftueshëm për të mbrojtur territorin gjysmë autonom.
Një shumicë dërrmuese e groenlandezëve kundërshtojnë idenë e aneksimit, tregoi një sondazh në janar. Kryeministri i Groenlandës ka thënë se vizita e zv.Presidentit të SHBA tregoi një "mungesë respekti".
Vizita ka shkaktuar gjithashtu kritika të ashpra nga Danimarka. Lars Lokke Rasmussen, ministri i Jashtëm i vendit skandinav, tha se danezët ishin "të hapur ndaj kritikave" por "nuk e vlerësojnë tonin me të cilin ato po jepen", në një video-mesazh drejtuar "miqve amerikanë".
Ai vuri në dukje se prania ushtarake e SHBA-së në Grenlandë ishte zvogëluar nga 17 baza në vitin 1945 në një që kishte rreth 200 ushtarë, duke shtuar: "Ne mund të bëjmë më shumë, shumë më tepër, brenda kornizës që kemi sot... Le ta bëjmë së bashku." (A2 Televizion)