Për Amerikën, Ukraina dhe Rusia tashmë janë gati për paqen. Madje kanë paraqitur propozimet e tyre për fundin e konfliktit dhe aktualisht janë në kërkim të një pike të përbashkët për një marrëveshje.
Këtë e konfirmon zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D Vance. Numri dy i Donald Trump, gjatë një interviste në Fox News shton se lufta në Ukrainë “nuk do të përfundojë shpejt".
Vance sqaroi se çështja madhore me të cilën përballet administrata amerikane është se si mund të ndihmojë Rusinë dhe Ukrainën të gjejë gjuhën e përbashkët për t’i dhënë fund konfliktit që ka vazhduar për më shumë se 3 vite.
“U takon atyre që të arrijnë një marrëveshje për të ndaluar këtë luftë brutale”, nënvizoi zëvendëspresidenti.
Vance mbrojti qasjen e presidentit Trump për luftën në Ukrainë duke thënë se “sigurisht që ukrainasit janë të zemëruar për pushtimin, por SHBA-të nuk do të lejojnë që mijëra jetë të vazhdojnë që të vriten për pak kilometra territor”.
Në këtë çështje ka ndërhyrë edhe sekretari i shtetit, Marco Rubio, që konfirmon se presidenti Trump do të vendosë se sa kohë do t’i dedikojë zgjidhjes së konfliktit të Ukrainës.
“Prandaj duhet një kthesë në negociata shumë shpejt”, u shpreh ai duke shtuar se në fakt qëndrimet e Rusisë dhe Ukrainës janë afruar paksa, pavarësisht se ende mbeten shumë larg njëra-tjetrës.
“Në të njëjtën kohë është e nevojshme që të pranohet fakti se Ukraina nuk do të jetë në gjendje ta largojë Rusinë në pozicionet që pushtonte në vitin 2014”, nënvizoi sekretari amerikan i shtetit, duke sinjalizuar se 4 rajonet e aneksuar nga Putini nuk do të mund të rikuperohen nga Kievi, as në luftë dhe as përmes negociatave. (A2 Televizion)