Trump emëron Waltz ambasador të SHBA-së në OKB, zbulon emrin e këshilltarit të sigurisë

Nga A2 CNN
1 Maj 2025, 21:42 | Bota

Trump emëron Waltz ambasador të SHBA-së në OKB, zbulon emrin

Pas largimit nga detyra e këshilltarit të sigurisë, Mike Waltz, do të jetë ambasador i SHBA-së në OKB. Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti amerikan në platformën e tij sociale Truth, teksa njofton se Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, do të jetë këshilltari i përkohshëm i sigurisë kombëtare i Donald Trump.

“Kam kënaqësinë të njoftoj se do ta emëroj Mike Waltz për të qenë Ambasadori i ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara. Që nga koha e tij në uniformë në fushën e betejës, në Kongres dhe, si Këshilltar im i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz ka punuar shumë për të vënë interesat e kombit tonë të parat. E di që ai do të bëjë të njëjtën gjë në rolin e tij të ri. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio do të shërbejë si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare, ndërsa do të vazhdojë udhëheqjen e tij të fortë në Departamentin e Shtetit. Së bashku, ne do të vazhdojmë të luftojmë pa u lodhur për ta bërë Amerikën dhe Botën PËRSËRI TË SIGURTË. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!", deklaroi Trump.

Mike Waltz reagoi pasi Presidenti Trump konfirmoi se nuk do të jetë më këshilltar i sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe do të nominohet për ambasador në OKB.

“Jam thellësisht i nderuar që të vazhdoj shërbimin tim ndaj Presidentit Trump dhe kombit tonë të madh”, tha ai në rrjetet sociale.

Ëaltz ishte nën presion që kur kryeredaktori i revistës The Atlantic Magazine zbuloi në mars se Waltz e kishte shtuar gabimisht atë në një bisedë në Signal rreth sulmeve kundër Houthëve, në të cilën zyrtarët kishin përshkruar planin e sulmit, duke përfshirë edhe kohën kur avionët luftarakë amerikanë do të ngriheshin për të bombarduar objektivat në Jemen.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos