Arbitrimin këto vajza e kanë pasionin më të madh në jetë. Që kur ishin të vogla, ëndërronin të ishin gjithmonë pranë sportit. Edhe pse është një fushë e vështirë, pavarësisht çdo pengese, ato shprehin dëshirën për të qenë pjesë e trupës gjykuese në një ndeshje futbolli.
Emanuela Rusta është një nga emrat më të njohur që arbitrimi ka. Në vitin 2019, ajo mori stemën e FIFA-s, duke u bërë e para vajzë shqiptare që merr një vlerësim të tillë dhe jo vetëm kaq, Rusta theu tabunë duke u bërë edhe vajza e parë që gjykon në një ndeshje të Superligës shqiptare të meshkujve, shkruan A2.
Historia e saj është frymëzuese për çdo vajzë që ka dëshirë të bëhet arbitre. Më shumë se 11 vite pjesë e kësaj fushe, Rusta nuk mohon dhe faktin se shpesh herë është përballur dhe me paragjykime.
Sot që flasim, stemën e FIFA-s e kanë shumë arbitër shqiptarë, mes tyre dhe shumë vajza. Edjena Kapxhiu dhe Mirjeta Salla janë dy prej tyre. Prej më shumë se 10 vitesh pjesë e arbitrimit, ato tregojnë se si nisi ky pasion.
Edhe pse për to ka pasur shumë momente të vështira, asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga pasioni i tyre më i madh.
Nga viti në vit, përveç nivelit që po rritet, edhe interesi për t’u bërë arbitër është bërë i madh. Kështu shprehet shefi i sektorit të arbitrit pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, Sokol Jareci, i cili mes të tjerash tregon se e ardhmja në këtë sektor është premtuese.
Arbitrimi është një sfidë e vështirë dhe jo kushdo mund ta bëjë nëse nuk e ke pasion. Në 90 minuta, duhet të ruash qetësinë, të qëndrosh e ftohtë dhe të jesh e paanshme për një lojë sa më të drejtë... (A2 Televizion)