Vodhi kompjuterin dhe televizorin në zyrën e PD, arrestohet 36-vjeçari në Cërrik

Nga A2 CNN
2 Maj 2025, 19:33 | Kronikë

Vodhi kompjuterin dhe televizorin në zyrën e PD, arrestohet

Policia në Cërrik ka vënë në pranga një 36-vjeçar, i cili akuzohet se ka vjedhur televizorin dhe kompjuterin në zyrën e Partisë Demokratike në këtë qytet.

Kallëzimi për rastin u bë mëngjesin e kësaj të premte nga sekretarja e degës së PD, e cila deklaroi se kur ka hapur zyrën ka konstatuar se mungonin 1 kompjuter dhe 1 televizor.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjes së ndodhur, në Cërrik, në subjektin e marrë e me qira për qëllime elektorale, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të rastit shtetasin A. M., 36 vjeç, banues në Cërrik”, bën me dije policia.

Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi A. M., gjatë mesnatës, ka vjedhur në ambientin e marrë me qira (lokal) me qëllime elektorale, 1 kompjuter dhe 1 televizor dhe i ka shitur kompjuterin e vjedhur shtetasit me iniciale K. Z.

Në pranga nga policia është vënë dhe 46-vjeçari, i cili bleu kompjuterin e vjedhur, pasi akuzohet për veprën penale "Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale", ndërsa pajisjet janë sekuestruar dhe i janë dorëzuar Partisë Demokratike në Cërrik.

Sakaq, autori i ndaluar nga policia, rezulton i dënuar më parë për veprat penale "Vjedhja" dhe "Dhuna në familje". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos