Rama: Teatri i ri Kombëtar do të jetë më i bukuri në të gjithë Ballkanin, por si do ta menaxhojmë?

Nga Luela Myftari
21 Dhjetor 2025, 15:53 | Kulturë

Rama: Teatri i ri Kombëtar do të jetë më i bukuri në

“Teatri më i bukur Kombëtar, apo qoftë edhe jo kombëtar, nuk ka rëndësi se ka dhe teatro të bukura që tjera që nuk janë teatri Kombëtar, por do të jetë më i bukuri në të gjithë Ballkanin pa diskutim dhe do të jetë një nga teatrot më të bukur të të gjithë Europës. Pastaj se çfarë do të jetë në aspektin përmbajtësor kjo i takon komunitetit”.

Kështu tha kryeministri Edi Rama në podcast-in e tij FLASIM, shkruan A2.

Kreu i qeverisë u shpreh i sigurt për një  infrastrukturë super, por sfidën artistike ia la mission artistëve duke mos rrëfyer si do të funksionojë si teatër, pasi ka rezerva për modelet e menaxhimit deri tani.

“Nga pikëpamja e menaxhimit ne nuk jemi ende në një fazë të zhvillimit tonë që të kemi kapacitete menaxhimi të institucioneve kulturore që të jenë të atilla që ta çojnë institucionin në një nivel tjetër dhe që të bëjnë diferencën, flas në tërësi. Patjetër që tek tuk jemi dhe menaxher shumë të mirë. Ajo që ka rëndësi, është që ai teatër do të jetë në gjendje të mikpresë edhe trupa të huaja, do të jetë në gjendje të mikpresë patjetër edhe trupa dhe aktorë nga territoret shqipfolëse, do të jetë në gjendje të ofrojë shumë, nga pikëpamja e infrastrukturës”, theksoi Rama.

Kryeministri foli gjithashtu edhe për projekte të tjera në kulturë që po zhvillohen paralelisht. “Ne po bëjmë Galerinë e re Kombëtare, po transformojmë Muzeun Kombëtar. Kemi një program shumë ambicioz për këtë mandat që të bëjmë disa muze më të vegjël në Tiranë. Po bëjmë, besoj me shumë sukses një Muze të Historisë së hebrenjve të Shqipërisë në Vlorë. Po përgatitemi të fillojmë punë për Muzeun “Besa” këtu në Tiranë. Për Muzeun e Artit Islamik. Kemi një sërë gjërash që po shkojnë paralelisht”, tha Rama.

Pikëpyetja sipas kryeministrit për të gjithë këto investime është niveli i menaxhimit në lartësinë e arkitekturës, në lartësinë e kësaj infrastrukture të re. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos