
Presidenti Volodymyr Zelensky u ka drejtuar një mesazh ukrainasve në vigjilje të Krishtlindjes, duke thënë se, “pavarësisht të gjitha vuajtjeve që ka sjellë”, Rusia nuk është në gjendje të “pushtojë” atë që ka më shumë rëndësi: unitetin e Ukrainës.
Zelensky ka shprehur gjithashtu dëshirën për vdekjen e Putinit, pa e përmendur drejtpërdrejt presidentin rus me emër, duke e quajtur atë një “ëndërr të përbashkët” të ukrainasve.
“Ne e festojmë Krishtlindjen në një moment të vështirë. Fatkeqësisht, jo të gjithë jemi në shtëpi sonte. Fatkeqësisht, jo të gjithë kanë ende një shtëpi. Dhe fatkeqësisht, jo të gjithë janë me ne sonte. Por, pavarësisht të gjitha vuajtjeve të shkaktuara nga Rusia, ajo nuk është në gjendje të pushtojë apo të bombardojë atë që ka më shumë rëndësi. Kjo është zemra jonë ukrainase, besimi ynë i ndërsjellë dhe uniteti ynë,” tha Zelensky. “Sot të gjithë ndajmë një ëndërr. Dhe shprehim një dëshirë, për të gjithë ne. Vdektë! Secili prej nesh mund ta mendojë me vete. Por kur i drejtohemi Zotit, sigurisht, kërkojmë diçka më të madhe. Kërkojmë paqe për Ukrainën, luftojmë për të. Dhe lutemi për të. Dhe e meritojmë”, tha presidenti në fjalimin e tij për vigjiljen.
Ndërkohë, pavarësisht festës së shenjtë, lufta nuk ndalet. Bombarduesit strategjikë rusë Tu-95MS kanë kryer një mision fluturimi të planifikuar mbi ujërat neutrale të Detit Barenc dhe Detit të Norvegjisë, “të shoqëruar nga avionë luftarakë të huaj në disa zona”, njoftoi Ministria ruse e Mbrojtjes. “Kohëzgjatja e fluturimit ishte mbi shtatë orë”, thuhet në deklaratë.
Avionët luftarakë Su-33 të Marinës ruse shoqëruan bombarduesit me rreze të gjatë veprimi. (A2 Televizion)