Një sipërmarrëse italiane ka ndërruar jetë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale kozmetike në Stamboll. Mediat italiane raportojnë se 56-vjeçarja Milena Mancini, ndërroi jetë pas njëzet ditësh në kujdes intensiv në Spitalin Universitar të Stambollit.
Ajo ishte larguar në fund të shtatorit së bashku me vajzën e saj, pas hapjes së një agjencie të re Up Immobiliare në Frosinone.
Udhëtimi ishte për në një klinikë private në Stamboll ku sipërmarrësja kishte vendosur t'i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale kozmetike, liposuksionit të barkut, një procedurë pothuajse rutinë.
Por diçka shkoi keq. Rreth 36 orë pas operacionit, Milena Mancini filloi të përjetonte dhimbje stomaku gjithnjë e më të forta, duke kërkuar ndërhyrjen e mjekëve në Spitalin Medical Park. Raportet fillestare nga Stambolli sugjerojnë për një dëmtim: një zorrë të shpuar që me sa duket është shkaktuar gjatë operacionit.
Gruaja u shtrua në kujdes intensiv dhe të afërmit e saj u informuan. Ata fluturuan për në Turqi disa ditë më parë. Ndërsa ditët kalonin, gjendja e saj u përkeqësua dhe sipërmarrësja vdiq të hënën në mëngjes. Konsullata italiane në Stamboll ka qenë në kontakt me familjen e gruas që kur situata e saj u përkeqësua dhe aktualisht po u ofron atyre ndihmë.
Trupi pritet të kthehet në Itali në orët e ardhshme dhe, sipas raportimeve, është arritur një marrëveshje me autoritetet turke për të lejuar kryerjen e autopsisë në Turqi.
Mediat italiane raportojnë se Milena Mancini ishte vajza e industrialistit Alvaro Mancini, një nga themeluesit dhe drejtorët e Indexa SpA, një kompani e themeluar në mesin e viteve 1990 që operon në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare si partnere për zhvillimin dhe mirëmbajtjen e komplekseve të prodhimit në sektorë strategjikë, duke përfshirë pulpën dhe letrën, automobilat, energjinë, mikroelektronikën, kimiko-farmaceutikën, bërthamoren dhe ushqimin. (A2 Televizion)