Vendi ku Trump shtypi “butonin e kuq” për Iranin

Nga A2 CNN
2 Mars 2026, 12:10 | Bota

Vendi ku Trump shtypi “butonin e kuq” për Iranin

Ndërsa të ftuarit me fustane mbrëmjeje dhe smoking vallëzonin në sallën madhështore të Mar-a-Lagos në Palm Beach, Florida, të premten në mbrëmje, në një pjesë tjetër të pronës po zhvillohej një takim, që do të ndryshonte balancat në Lindjen e Mesme. Zyrtarët më të lartë të sigurisë kombëtare të SHBA-së po mblidheshin në pritje të një nate të gjatë.

Drejtori i CIA-s, sekretari i shtetit dhe sekretari i mbrojtjes kishin hyrë më herët pa u vënë re nga të ftuarit që pinin kokteje pranë pishinës. Po ashtu ishte edhe kryetari i Shefave të Shtabit të Përbashkët, i cili kishte vendosur në një këmbalec një hartë të Lindjes së Mesme me pozicionet e aseteve amerikane dhe objektivave iraniane.

Kur Presidenti Donald Trump mbërriti, ambienti ishte kthyer në një “Situation Room” të improvizuar, nga ku ai do të mbikëqyrte nisjen e një sulmi të vazhdueshëm kundër Iranit. Para se të tërhiqej pas perdes, ai iu drejtua shkurtimisht të pranishmëve në mbrëmjen bamirëse: “Kalofshi bukur të gjithë… Duhet të shkoj në punë”.

Vendi ku Trump shtypi “butonin e kuq” për Iranin

Fotot e publikuara nga Shtëpia e Bardhë e tregojnë Trump pa kravatë, me një kapele të bardhë me mbishkrimin “USA”, duke ndjekur zhvillimet që do të përfshinin edhe vrasjen e Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, si dhe njoftimin për vdekjen e tre ushtarakëve amerikanë. Ai nuk mbajti një fjalim të drejtpërdrejtë apo konferencë për shtyp, duke lënë publikun vetëm me imazhe dhe dy video të regjistruara.

Përdorimi i Mar-a-Lago-s për operacione kaq të ndjeshme ka shkaktuar shqetësime të vazhdueshme për sigurinë. Një fotografi ku shefja e stafit, Susie Wiles, shihej me një orë inteligjente në dorë nxiti spekulime në internet, por prodhuesi sqaroi se pajisja nuk ka mikrofon, GPS apo lidhje celulare dhe është e miratuar nga NSA si pajisje personale.

Kjo nuk është hera e parë që Trump përdor klubin për vendime madhore ushtarake. Në vitin 2020 ai mori aty vendimin për eliminimin e komandantit iranian Qasem Soleimani. Në 2017 autorizoi sulme ndaj Sirisë për përdorimin e armëve kimike, përpara se të rikthehej në darkë me presidentin kinez Xi Jinping. Gjatë vitit të fundit, nga Mar-a-Lago janë mbikëqyrur edhe operacione kundër rebelëve Houthi në Jemen, sulme ndaj objektivave të dyshuara të ISIS në Nigeri dhe misioni për kapjen e Nicolás Maduro në Venezuelë.

Klubi, i ndërtuar në vitet 1920 nga trashëgimtarja Marjorie Merriweather Post, ka mbrojtje të fortifikuara, përfshirë snajperë, qen zbulues dhe patrullime ujore. Megjithatë, muajin e kaluar një person i armatosur depërtoi në perimetrin e sigurisë para se të neutralizohej nga autoritetet. Pas nisjes së operacionit kundër Iranit, Shërbimi Sekret njoftoi forcim të mëtejshëm të masave të sigurisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos