Anulime dhe devijime fluturimesh, sulmet në Lindjen e Mesme sjellin kaos

Nga A2 CNN
2 Mars 2026, 09:14 | Bota

Anulime dhe devijime fluturimesh, sulmet në Lindjen e Mesme sjellin kaos

Kompanitë ajrore vazhdojnë të anulojnë dhe devijojnë fluturimet në Lindjen e Mesme pasi SHBA-të dhe Izraeli nisën sulmet ajrore kundër Iranit, raporton A2CNN. 

Fluturimet në drejtim të aeroporteve Tel Aviv-it, Dubai-t, Doha-s, dhe anasjelltas, janë pezulluar. Disa shtete europiane po i paralajmërojnë qytetarët e tyre të mos udhëtojnë në drejtim të Bahrein-it, Kuvajt-it, Katar-it dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), përveç atyre që janë të domosdoshme. Po ashtu qytetarët janë udhëzuar të qëndrojnë në vende të sigurta. 

Irani ka nisur sulme ndaj shteteve të Gjirit si pjesë e hakmarrjes ndaj sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit që filluan herët të shtunën.

Zyrtarët e qeverisë britanike po planifikojnë të evakuojnë shtetasit britanikë nga Lindja e Mesme, raportojnë mediat angleze. 

Por koha e një veprimi të tillë mbetet e paqartë, pasi pjesa më e madhe e hapësirës ajrore në rajon mbetet e mbyllur. Emiratet kanë pezulluar sot operacionet brenda dhe jashtë Dubait deri në orën 15:00 (sipas orës lokale), për shkak të mbylljes së hapësirës ajrore, ndërsa Etihad ka pezulluar fluturimet nga Abu Dhabi deri në orën 02:00 (sipas orës lokale_.

Një person është vrarë dhe 11 të tjerë janë plagosur në aeroportet e Dubait dhe Abu Dhabit që nga fillimi i sulmeve. Katër prej të plagosurve ishin midis anëtarëve të stafit në Dubai International, aeroportin më të ngarkuar në botë për nga trafiku i pasagjerëve. British Airways ka anuluar shërbimet për në Tel Aviv dhe Bahrein deri të mërkurën.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos