“Vendtakimin me Putinin e caktoi mamaja jote”, përgjigja e zëdhënëses së Trump ngjall kritika

Nga A2 CNN
21 Tetor 2025, 09:01 | Bota

“Vendtakimin me Putinin e caktoi mamaja jote”, përgjigja e

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, akuzoi të hënën korrespondentin e HuffPost, S.V. Dáte, se është një “propagandist i majtë” që “e bombardon vazhdimisht” me mesazhe telefonike, pasi ndau publikisht një shkëmbim mesazhesh me gazetarin.

Sipas mediave amerikane, përplasja nisi javën e kaluar, kur Dáte i kishte dërguar një mesazh Leavitt-it për të pyetur nëse Presidenti Donald Trump ishte “i vetëdijshëm për rëndësinë historike të Budapestit”, pasi kishte pranuar të takohej me Presidentin rus Vladimir Putin në kryeqytetin hungarez, në javët në vijim, për bisedime paqeje.

Gazetari kujtoi se Budapesti është vendi ku në vitin 1994 u nënshkrua Memorandumi i Budapestit, me të cilin Ukraina pranoi të heqë dorë nga armët bërthamore të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik, në këmbim të garancive të Rusisë, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe për mos përdorim force apo presioni ekonomik ndaj saj.

“Vendtakimin me Putinin e caktoi mamaja jote”, përgjigja e

“Kush e propozoi Budapestin? A nuk e kupton pse Ukraina mund të kundërshtojë atë vend?”, pyeti Dáte në mesazhin e tij.

Por përgjigjja e Leavitt-it ishte tallëse: “E sugjeroi mamaja jote”.

Pas kësaj, gazetari reagoi: “A të duket kjo qesharake?”.

“Po, më duket qesharake që ti e konsideron veten gazetar”, ia ktheu Leavitt. “Je një propagandist i majtë që askush s’të merr seriozisht – madje as kolegët e tu, thjesht nuk ta thonë në sy”.

Ajo shtoi: “Mos më dërgo më pyetje të pavërteta, të njëanshme dhe plot marrëzira”.

Leavitt publikoi më pas në X (ish-Twitter) të gjithë bisedën me gazetarin, duke e akuzuar atë për paragjykime politike dhe sulme të përsëritura ndaj administratës Trump.

“Vendtakimin me Putinin e caktoi mamaja jote”, përgjigja e

“Për kontekst, S.V. Dáte i Huffington Post nuk është gazetar i interesuar për faktet, por një aktivist i majtë që ka sulmuar Presidentin Trump për vite me radhë dhe më dërgon vazhdimisht mesazhe me pikat e propagandës së demokratëve”, shkroi ajo në X, bashkë me fotot e bisedës.

“Mjafton të shikoni profilin e tij, duket si një ditar personal kundër Trumpit. Aktivistët që shtiren si gazetarë i bëjnë dëm profesionit”, shtoi Leavitt.

Ndërkohë, Dáte reagoi sërish në të njëjtin postim, duke e sfiduar zëdhënësen që t’i përgjigjej pyetjes së tij fillestare. “U ndjeve më mirë tani? Tani mund të përgjigjesh në pyetje, të lutem dhe faleminderit”, shkroi ai.

Përplasja mes zëdhënëses dhe gazetarit ka shkaktuar reagime të shumta në rrjete sociale, ku disa e kanë kritikuar tonin përçmues të Leavitt, ndërsa të tjerë e kanë mbrojtur qëndrimin e saj ndaj asaj që e quajnë “sulm i përsëritur mediatik kundër administratës Trump”. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos