Venezuela ka pak gjasa të shënojë ndonjë rritje domethënëse të prodhimit të naftës për vite me radhë, edhe nëse gjigantët amerikanë të energjisë do të investonin miliarda dollarët e premtuara nga Donald Trump. Megjithëse vendi i Amerikës Latine zotëron rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë, prodhimi ka rënë ndjeshëm gjatë dekadave të fundit për shkak të keqmenaxhimit, mungesës së investimeve dhe largimit të kompanive të huaja pas nacionalizimit të industrisë së naftës në vitet 2000. Ky proces përfshiu edhe konfiskimin e aseteve të kompanive të mëdha si Exxon Mobil dhe ConocoPhillips, duke shkatërruar besimin e investitorëve ndërkombëtarë.
Francisco Monaldi: “Në afat të shkurtër, Venezuela nuk ka shumë peshë. Por në afat të gjatë, ajo mund të ketë një rëndësi shumë të madhe. Në planin afatshkurtër, ndikimi do të vinte kryesisht nga ridrejtimi i eksporteve të naftës venezueliane. Kjo do të thotë që nafta që sot shkon kryesisht në tregun e zi në Kinë, do të ridrejtohej në masë të madhe drejt Shteteve të Bashkuara. SHBA-ja ka një kapacitet shumë të madh rafinimi në bregun e Gjirit, i cili është i përshtatur për përpunimin e naftës së rëndë – pikërisht lloji i naftës që prodhon Venezuela. Para vendosjes së sanksioneve amerikane në vitin 2019, Venezuela eksportonte rreth gjysmë milioni fuçi nafte në ditë drejt SHBA-së. Sot, falë licencës së Chevron-it, eksporton vetëm rreth 140 mijë fuçi në ditë. Në këto kushte, pritet që të paktën gjysmë milioni fuçi në ditë, e ndoshta pothuajse e gjithë nafta venezueliane për eksport, të përfundojnë në tregun amerikan.”
Kompanitë që mund të shfaqin interes për të investuar në Venezuelë përballen me sfida serioze: pasiguri fizike, infrastrukturë të degraduar, paqartësi mbi ligjshmërinë e operacionit amerikan për kapjen e Maduro-s, si dhe rrezikun e një paqëndrueshmërie politike afatgjatë. Për më tepër, Venezuela do të duhet të ndryshojë legjislacionin e saj për të lejuar një përfshirje më të madhe të kompanive të huaja të naftës.
Industria u nacionalizua fillimisht në vitet ’70 dhe në vitet 2000 u detyrua të kalonte në sipërmarrje të përbashkëta të kontrolluara nga kompania shtetërore PDVSA. Shumica e kompanive, përfshirë Chevron-in, pranuan të largoheshin ose të negocionin marrëveshje të reja, ndërsa të tjerat iu drejtuan arbitrazhit ndërkombëtar.
Francisco Monaldi: “Venezuela ka sasi të jashtëzakonshme nafte. Është në një kategori më vete. Ndoshta i vetmi vend i krahasueshëm është Kanadaja. Këto janë rezerva gjigante, të ngjashme për nga madhësia me ato të Lindjes së Mesme, në Gjirin Persik. Dallimi është se Gjiri Persik ka naftë të lehtë, produktivitet shumë më të lartë për pus dhe kosto shumë më të ulët se Venezuela. Megjithatë, kostoja e prodhimit në Venezuelë mbetet konkurruese, më e ulët se në SHBA apo Kanada. Kjo do të thotë se, nëse Venezuela arrin të ulë rreziqet mbi tokë – rreziqet politike dhe pasigurinë për investitorët – investimi është pa dyshim fitimprurës dhe këto rezerva mund të zhvillohen.”
Francisco Monaldi: “Që Venezuela të rikthehet në nivelet më të larta të prodhimit të së kaluarës, do të nevojiteshin rreth 100 miliardë dollarë investime dhe një periudhë prej 8 deri në 10 vjetësh. Kjo do të kërkonte që shumë kushte të përputhen njëkohësisht: stabilitet politik, një kuadër institucional të besueshëm, marrëdhënie të mira dhe të qëndrueshme mes Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara. Të gjitha këto, për momentin, janë pikëpyetje shumë të mëdha.”
Sipas Francisco Monaldi-t, drejtor i Programit të Energjisë për Amerikën Latine në Institutin Baker të Universitetit Rice, Chevron është kompania amerikane që mund të përfitojë më së shumti nga një hapje e mundshme e sektorit të naftës në Venezuelë. Kompanitë e tjera amerikane do të presin sinjale të qarta stabiliteti politik dhe një kuadër kontraktual të besueshëm përpara se të investojnë.
Ndërkohë, kompania spanjolle Repsol mban aksione në disa fusha nafte dhe gazi, tokësore dhe detare, si Petroquiriquire dhe Cardón IV West, që i operon në partneritet me kompaninë italiane Eni. Në mars të vitit 2025, Shtetet e Bashkuara i revokuan Repsol-it licencën për të operuar në Venezuelë. Sipas një marrëveshjeje të mëparshme, Repsol merrte naftë nga PDVSA si shlyerje borxhi. Kompania ka deklaruar se Venezuela i detyrohet 586 milionë euro.
“Në afat të shkurtër, do të jetë relativisht e lehtë të sigurohen dy lloje investimesh. E para është investimi i Chevron-it, sepse Chevron është tashmë në terren, operon fusha ekzistuese dhe ka kontrata afatgjata. Ata po riinvestojnë një pjesë të fluksit të parasë që gjenerojnë nga këto fusha, çka e bën rrezikun shumë më të ulët krahasuar me një kompani të re që hyn në treg.
Dy kompani europiane janë në një pozicion të ngjashëm. Nëse SHBA-ja u lejon të veprojnë, ashtu si Chevron-in – dhe unë pres që kjo të ndodhë – Repsol dhe Maurel & Prom do të jenë në gjendje të rrisin prodhimin relativisht shpejt.
Së fundi, janë edhe kontratat për fusha ekzistuese që janë në rënie. Këto mund të tërheqin kompani të vogla amerikane, kanadeze apo europiane. Janë fusha që aktualisht menaxhohen nga kompania shtetërore dhe janë shfrytëzuar deri në rraskapitje. Infrastruktura ekziston, por kërkohet shpim i ri dhe menaxhim efikas për të nxjerrë naftë nga fusha që janë në rënie të fortë prodhimi.”
Çdo skenar rimëkëmbjeje zhvillohet mbi një sfond të zymtë ekonomik. Ekonomia venezueliane u tkurr ndjeshëm pas vitit 2013, kur prodhimi i naftës ra në mënyrë drastike, inflacioni doli jashtë kontrollit dhe varfëria u rrit ndjeshëm. Edhe pse prodhimi është stabilizuar pjesërisht, çmimet e ulëta globale të naftës dhe zbritjet e detyruara për naftën venezueliane kufizojnë të ardhurat, duke e bërë pothuajse të pamundur shlyerjen e borxheve pa një ristrukturim të thellë.
Situata është përkeqësuar edhe më tej nga bllokada e fundit amerikane ndaj cisternave që transportonin naftë të sanksionuar.
“Ndryshe nga shumë vende të tjera, Venezuela ka pasur një infrastrukturë masive për sektorin e naftës. Vetëm 10 vite më parë, ky vend prodhonte mbi 2 milionë fuçi nafte në ditë – dyfishin e prodhimit aktual. Kjo do të thotë se ekziston ende shumë infrastrukturë rezervë.
Por, njëkohësisht, kjo infrastrukturë është degraduar rëndë. Shpesh thuhet se ka mijëra puse nafte të mbyllura që mund të rikthehen lehtësisht në punë, por kjo nuk është gjithmonë e qartë, sepse shumë prej tyre janë braktisur dhe nuk janë mirëmbajtur.
Fatkeqësisht, për shkak të kolapsit ekonomik, pati edhe vjedhje masive të infrastrukturës. Punonjësit e sektorit të naftës nuk paguheshin dhe shumë pajisje u vodhën. Ndonjëherë vlera e pajisjes së vjedhur është e vogël, por kostoja për të riparuar dëmet më pas është shumëfish më e lartë, sepse shkatërrohet e gjithë struktura dhe kjo ndikon drejtpërdrejt në potencialin e ardhshëm të prodhimit.”
Trump ka deklaruar se kompanitë amerikane të naftës janë të gatshme të përballen me sfidën e rikthimit të prodhimit në Venezuelë, por pa dhënë afate apo detaje konkrete. Aktualisht, Chevron mbetet e vetmja kompani e madhe amerikane që operon në fushat e naftës venezueliane.
Venezuela, një nga anëtarët themelues të OPEC-ut, prodhonte deri në 3.5 milionë fuçi nafte në ditë në vitet ’70 – mbi 7% të prodhimit global. Sot, prodhimi ka rënë në rreth 1.1 milionë fuçi në ditë, vetëm 1% e prodhimit botëror. Një fitore e shpejtë për administratën Trump do të ishte rikthimi i rrjedhës së naftës venezueliane drejt Gjirit të Meksikës, duke përfituar rafineritë amerikane si Valero. Por aktualisht, sinjalet tregojnë të kundërtën: bllokada po e mbyt edhe më tej industrinë që dikur ishte shtylla e ekonomisë venezueliane. (A2 Televizion)