Verë në orën 10:30 të mëngjesit: politikani zviceran kërkon që parlamentarëve t’u ndalohet alkooli

Nga A2 CNN
27 Janar 2026, 12:06 | Bota

Verë në orën 10:30 të mëngjesit: politikani zviceran

Nga Enver Robelli

Kush ka më tepër se 0,5 promilë alkool në gjak, nuk guxon të ngas veturën në Zvicër. Ky rregull shpëton jetë. Dhe ky rregull, sipas Oleg Gafner, deputet në parlamentin e kantonit Waadt (Vaud), duhet të aplikohet edhe te politikanët. Në një bisedë me grupin medial “CH Media” Gafner tha se ishte tronditur kur së fundi mori një kafe në bufenë e parlamentit dhe pa se në dy tavolina po pihej verë. Ishte ora 10:30 e mëngjesit, transmeton A2 CNN. “Në të dyja tavolinat ishin ulur nga gjashtë deri në shtatë persona dhe mbi tavolinë kishte disa shishe verë”, tregoi 24-vjeçari Gafner. Parlamentarët nuk po pinin gjatë kohës së lirë, por gjatë seancave.

Gafner ka vendosur të reagojë kundër këtij tabiati. Ai ka hartuar një projekt-propozim me të cilin kërkon një kufi alkooli për parlamentarët kantonalë, i cili t’i përgjigjet atij të qarkullimit rrugor: 0,5 promilë. Ai tha se do ta dorëzojë mocionin në parlament këtë të martë.

Sipas televizionit të Zvicrës frëngjishtfolëse, asnjë parlament tjetër kantonal nuk njeh një rregullore të tillë. Edhe deputetët në nivel nacional nuk janë formalisht të detyruar të kufizojnë konsumimin e alkoolit. Restoranti i Parlamentit Federal në Bern shërben birrë dhe verë.

Por kush duhet ta kontrollojë nivelin e alkoolit të përfaqësuesve të popullit në kantonin Vaud? Një komision anti-alkool? Gafner e kundërshton këtë ide. Ai nuk kërkon as kontrolle e as sanksione, por dëshiron mbi të gjitha një gjë: të nxisë një debat dhe t’i bëjë kolegët e tij të reflektojnë.

Edhe ai vetë pi alkool, thekson përfaqësuesi i Gjeneratës Z – por vetëm në mbrëmje. “Kur deputetët votojnë për ligje që nuk mund t’i gjykojnë më saktësisht, kjo është tejet e dyshimtë nga pikëpamja demokratike”, thotë Gafner. Përveç kësaj, një konsum i lartë i alkoolit mund të favorizojë sjellje problematike.

Pikëpamje të ngjashme shprehën edhe politikanë të tjerë të majtë. Politikanë të djathtë e kanë kundërshtuar propozimin. Njëri prej tyre, i cili zotëron edhe vreshta në rajonin e famshëm dhe të mbrojtur nga UNESCO Lavaux, tha: “Jemi në mes të fushatës zgjedhore dhe për disa, çdo mjet është i vlefshëm për të dëmtuar një grup politik”. Në vitin 2027 në Vaud mbahen zgjedhjet parlamentare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos