
Një tërmet me magnitudë 6.1 të shkallës rihter ka goditur mbrëmjen e së hënës Turqinë perëndimore, duke shkaktuar panik, dëme materiale dhe plagosjen e të paktën 22 personave. Lëkundjet nisën në qytetin Sindirgi në orën 22:48 sipas orës lokale, me një thellësi prej vetëm 3.7 miljesh, dhe u pasuan nga disa pasgoditje të fuqishme.
Pamjet e kapura nga kamerat e sigurisë tregojnë qytetarë që vraponin, ndërsa godinat dridheshin nga tërmeti i fuqishëm.
Sipas guvernatorit të Balikesirit, Ismail Ustaoglu, tre ndërtesa janë shembur, por ato ishin bosh dhe të dëmtuara nga tërmeti i fundit në gusht, i cili kishte shkaktuar një viktimë. Po ashtu, është shembur edhe një dyqan dykatësh.
Autoritetet kanë hapur xhami, shkolla dhe palestra sportive si strehë emergjente për qytetarët që kanë frikë të kthehen në shtëpi.
Turqia, e cila ndodhet mbi pllakën Anadolliane mes pllakave Arabe dhe Euroaziane, është një nga zonat më aktive sizmikisht në botë. Kujtojmë se në shkurt 2023, një tërmet me magnitudë 7.8 ballë vrau mbi 53 mijë persona dhe shkatërroi mijëra ndërtesa në jug të vendit.
(A2 Televizion)
