Video nga e gjithë bota në shitje online, imazhe nga kamerat private edhe brenda shtëpive për 575 dollarë

Nga A2 CNN
4 Shtator 2025, 14:33 | Bota

Video nga e gjithë bota në shitje online, imazhe nga kamerat private

Një portal i aksesueshëm lehtësisht në “clear web”, i cili përmbante mijëra regjistrime audio-video të vjedhura ilegalisht nga mbi 2,000 kamera mbikëqyrjeje, është zbuluar nga Yarix, qendra e ekspertizës së sigurisë kibernetike e kompanisë Var Group me seli në Treviso. Zbulimi është raportuar menjëherë te Policia Postare italiane.

Portali, aktiv që nga dhjetori 2024, ofronte fragmente të shkurtra falas, por gjithashtu shiste akses të plotë përmes planeve me pagesë, me çmimet që varionin nga 20 deri në 575 dollarë për secilën kamerë. Përmes një programi të integruar në Telegram, përdoruesit mund të blinin qasje në kamera të ndryshme.

Videot e vjedhura përfshijnë pamje nga shtëpi private, sallone bukurie, zyra mjekësore dhe ambiente të tjera. Sipas analizave, regjistrimet vijnë nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Francën, Gjermaninë, Rusinë, Ukrainën, Meksikën dhe Argjentinën. Aktualisht, janë identifikuar rreth 150 video në Itali. Disa prej tyre janë parë mbi 20,000 herë.

Domeni i portalit rezulton i regjistruar në Ishujt Tonga, një vend i njohur për rregulla më të lehta mbi anonimitetin online dhe mungesën e marrëveshjeve të gjera ligjore me vende të tjera. Në seksionin “Rreth nesh”, faqja pretendon se synon të “ndërgjegjësojë publikun mbi rrjedhjet e të dhënave personale” një justifikim që autoritetet e konsiderojnë të dyshimtë.

Yarix ka aktivizuar Qendrën e Operacioneve të Sigurisë Kibernetike (COSC) në Venecia dhe po bashkëpunon me Policinë Postare për të analizuar materialet dhe për të verifikuar nëse videot burojnë nga kamera të fshehura dhe viktima të pavetëdijshme. Nuk përjashtohet mundësia që portali të përdorë edhe video të inskenuara dhe transmetime live me aktorë, për të tërhequr më shumë përdorues dhe abonime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos