Virusi i Nilit Perëndimor në Holandë, shënohet viktima e parë

Nga A2 CNN
26 Gusht 2026, 16:36 | Bota

Virusi i Nilit Perëndimor në Holandë, shënohet viktima e

Një person ka humbur jetën në Holandë pas infektimit me virusin e Nilit Perëndimor, ndërsa autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar rastet e para të infeksionit në vend që nga viti 2020.

Instituti Kombëtar Holandez për Shëndetin Publik dhe Mjedisin (RIVM) njoftoi se një person i infektuar me virusin është shtruar në spital. Sipas të dhënave të institutit, numri i personave të infektuar në Holandë mund të jetë tre, shkruan A2CNN. 

Ende nuk është bërë e ditur nëse personi që ka humbur jetën është një nga rastet e konfirmuara më parë. RIVM nuk ka dhënë detaje të tjera për viktimën.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet te njerëzit kryesisht përmes pickimit të mushkonjave. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), në raste të rralla infeksioni mund të shkaktojë sëmundje të rënda dhe kërcënuese për jetën.

OBSH ka paralajmëruar se temperaturat më të larta po krijojnë kushte më të favorshme për përhapjen e virusit nga mushkonjat në Evropë. Gjatë kësaj vere, raste janë raportuar edhe në vende si Greqia dhe Italia.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos