Pas konfirmimit të rastit të parë me ethet e Nilit në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik zbarkon në Qarkun e Korçës.
Një ekip specialistësh nga Tirana ka nisur hetimin dhe matjen e seroprevalencës në popullatë, për të verifikuar praninë e virusit të Nilit dhe përqindjen e popullatës që ka rënë në kontakt me të.
Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se janë marrë mostra analizash nga banorë të lagjes 7 të qytetit të Korçës, aty ku u konstatua rasti i parë më ethet e Nilit. Deri tani, Instituti i Shëndetit Publik nuk ka konfirmuar raste të tjera klinike. Po ashtu, grupi i ekspertëve të Institutit të Shëndetit Publik po kryen hetimin entomologjik në zona të ndryshme të juglindjes, për të verifikuar praninë dhe llojet e mushkonjave që shërbejnë si transmetuese të virusit të Nilit perëndimor.
Burime pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor bëjnë me dije se Korça nuk ishte përfshirë në hartën e dezinstektimit veror të planifikuar nga Instituti i Shëndetit Publik.
Megjithatë, po sipas të njëjtave burime, Bashkia e Korçës duhet të ndërmarrë ndërhyrje të tilla, nëse pas hetimeve rezulton se denzinsektimi është i nevojshëm për të parandaluar vektorët e transmetimit të virusit.
Ndërkohë, 72-vjeçari i konfirmuar me sëmundjen e etheve të Nilit ndodhet në reanimacionin e Spitalit Rajonal të Korçës. Gjendja e tij është e stabilizuar dhe nën trajtimin përkatës.
Ky është rasti i parë zyrtar për këtë verë. Epidemologët e ISHP në deklaratën e një dite më parë u përpoqën të qetësojnë popullatën duke thënë se virusi nuk transmetohet nga njeriu tek njeriu.
Ndërsa 80% e personave që pickohen nga mushkonjat bartëse të virusit të Nilit e kalojnë sëmundjen pa shenja. (A2 Televizion)