Vuçiç takohet me Putinin në Kinë, i drejtohet në rusisht: Serbia është në situatë të vështirë

Nga A2 CNN
2 Shtator 2025, 17:46 | Bota

Vuçiç takohet me Putinin në Kinë, i drejtohet në

Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç janë takuar sot në Pekin, aty ku të dy ndodhen me ftesë të Xi Jinping, për të marrë pjesë në paradën madhështore në sheshin Tiananmen, ditën e mërkurë.

Vuçiç e falënderoi Putinin në rusisht për pritjen e ngrohtë që iu bë gjatë vizitës së tij në Moskë më 9 maj, ndwrsa Putin tha se Rusia respekton politikën e pavarur të Serbisë.

Presidenti i Serbisë falënderoi Putinin për mbështetjen e tij në ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë dhe për qëndrimin e tij miqësor ndaj popullit serb. Vuçiç theksoi se Serbia dëshiron një bashkëpunim edhe më të fortë me Rusinë, veçanërisht kur bëhet fjalë për furnizimin me energji dhe gaz.

Për Serbinë, bashkëpunimi në nivelin më të lartë me Rusinë në të gjitha fushat është shumë i rëndësishëm dhe shpresoj se do të kemi mundësinë të përmirësojmë disa aspekte të bashkëpunimit. Energjia është një fushë shumë e rëndësishme, veçanërisht prokurimi i gazit”, tha Vuçiç në rusisht.

Ai shtoi se tubacioni i planifikuar i naftës me Hungarinë do të mundësojë përmirësimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe theksoi se të gjitha kompanitë ruse janë të mirëpritura në projektet e infrastrukturës në Serbi.


Vuçiç shtoi se që nga fillimi i krizës ukrainase, Serbia ka qenë nën presion të madh, por ka mbetur konsistente me vendimin e saj për të mos vendosur sanksione ndaj Rusisë. Mediat ruse raportojnë se Vuçiç tha se do të ishte i lumtur të dëgjonte këshillat e Putinit për marrëdhëniet e ardhshme.

Serbia është në një situatë të vështirë. Dua t'ju informoj se që nga fillimi i krizës ukrainase, Serbia ka qenë në një situatë të vështirë për t'u përballur me presionet, por ne prapë kemi arritur të ruajmë pozicionin tonë në raport me Federatën Ruse dhe do të vazhdojmë të luftojmë për pavarësinë e Serbisë dhe gjithashtu do të përpiqemi të mbetemi vendi i vetëm në Evropë që nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Federatës Ruse. Jam i sigurt se mund t’i përmirësojmë dhe forcojmë marrëdhëniet tona në nivelin më të lartë. Faleminderit për pritjen e ngrohtë dhe jam i sigurt se mund t’i forcojmë vërtet marrëdhëniet tona. Faleminderit edhe një herë”, tha Vuçiç. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos