Aplikacioni për mesazhe, WhatsApp mund të bllokohet shumë shpejt në Rusi, teksa ligjvënësit ashpërsojnë kufizimet ndaj platformave digjitale prej “shteteve armiqësore”.
“Është koha që WhatsApp të përgatitet për t’u larguar nga tregu rus”, ka thënë Anton Gorelkin, zëvendësudhëheqs i Komitetit të Dumas për Politika të Informacionit, përmes një shkrimi në Telegram.
Aplikacioni në pronësi të gjigantit Meta pritet të shtohet në listën e aplikacioneve të ndaluara për shkak të lidhjeve me shtetet perëndimore, ka thënë ai.
Pas një dekreti të nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin më 2021, Qeveria ruse ka nisur të përpilojë një listë të “shteteve armiqësore”, duke përfshirë fillimisht Shtetet e Bashkuara dhe Republikën Çeke.
Lista është zgjeruar pas luftës në Ukrainë, duke e inkuadruar gjithë Bashkimin Evropian. Në qershor, Parlamenti rus e ka miratuar një ligj për krijim të një aplikacioni shtetëror për mesazhe.
Atëbotë është thënë se shërbimet qeveritare duhet të përfshihen në këtë aplikacion mesazhesh që mund të quhet Max.
Prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, tre vjet më parë, Moska e ka rritur në mënyrë të konsiderueshme censurën dhe kontrollin mbi internetin.
Të enjten, Parlamenti e ka miratuar një legjislacion të ri që e bën të dënueshëm me 64 dollarë çdo kërkim të përmbajtjes në internet, të cilën autoritetet e klasifikojnë si “ekstremiste”.
Platformat që i kritikojnë elitat përfshirë Fondacionin kundër Korrupsionit, të themeluar nga lideri i ndjerë opozitar, Aleksei Navalny, janë në mesin e faqeve të shënjestruara.
Deri më tani në Rusi nuk ka ekzistuar një rregullore që ndalon kërkimin e lirë të informacionit në internet, pasi shumë uebfaqe të mediave të pavarura dhe atyre perëndimore, janë të bllokuara./ REL (A2 Televizion)