Zbulohen rrënojat e anijes romake në brigjet e Siçilisë, reagon ministri italian i Kulturës

Nga A2 CNN
9 Gusht 2026, 15:26 | Bota

Zbulohen rrënojat e anijes romake në brigjet e Siçilisë,

Zhytës italianë kanë zbuluar në brigjet e Siçilisë rrënojat e një anijeje të lashtë romake, e cila besohet të jetë mbi 2 mijëvjeçare.

Anija u gjet e mbushur me qindra enë të ruajtura në gjendje të mirë, të përdorura në lashtësi për transportin e mallrave, kryesisht verës dhe vajit të ullirit.

Ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli, e cilësoi zbulimin si “një nga gjetjet më të rëndësishme të arkeologjisë nënujore të viteve të fundit”.

Zhytës të specializuar të forcave të policisë e lokalizuan anijen në një thellësi prej rreth 46 metrash, pas një sinjalizimi të marrë nga peshkatarët. Sipas mediave vendase, rrënojat janë rreth 21 metra të gjata dhe 6 metra të gjera.

Ministria italiane e Kulturës vlerëson se anija i përket shekullit II ose I para Krishtit, duke e vendosur atë në një periudhë kyçe të historisë së Mesdheut dhe të fuqizimit të Romës së lashtë.

Peshkatari dhe zhytësi i lirë Giacomo De Mola tregoi se si u përball krejt papritur me gjurmët e kësaj anijeje historike, ndërsa po vëzhgonte shtratin e detit pranë Mazara del Vallo.

Në një postim në rrjetet sociale, ai rrëfen se vendosi të zhytej për të parë nga afër një objekt që, në pajisjen e tij të skanimit, i ishte shfaqur si një shkëmb i madh. “U afrova. Dhe zemra m’u ndal. Nuk ishte shkëmb”, shkroi ai.

Përpara tij u shfaqën qindra amfora, enë prej qeramike, të përdorura gjerësisht në botën e lashtë për ruajtjen dhe transportin e mallrave, veçanërisht verës, vajit dhe drithërave.

Zbulimi hedh një dritë të re mbi lëvizjen e mallrave në Mesdhe në lashtësi dhe mbi rrugët detare që lidhnin brigjet e Italisë me qendrat e tjera të botës antike.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos