
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar planin 15-pikësh të Presidentit amerikan Donald Trump për Gazën, duke deklaruar se Izraeli nuk do të tërheqë trupat e tij nga territori palestinez për sa kohë Hamasi nuk është çarmatosur plotësisht.
“Izraeli e hedh poshtë dokumentin me 15 pika”, deklaroi Netanyahu gjatë një mbledhjeje të kabinetit të dielën.
Sipas tij, ushtria izraelite nuk do të ndërmarrë asnjë tërheqje nga Gaza derisa të sigurohet se Hamasi është çarmatosur “vërtet” dhe se nuk ekziston më kërcënim ndaj ushtarëve dhe qytetarëve izraelitë.
Plani i Trump parashikon çarmatimin e plotë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza, tërheqjen e forcave izraelite, si dhe nisjen e një procesi të gjerë rindërtimi të territorit. Për zbatimin e marrëveshjes është parashikuar edhe krijimi i një “Bordi të Paqes”.
Megjithatë, Hamasi ka deklaruar se dorëzimi i armëve të rënda lidhet me përfundimin e të gjitha formave të agresionit izraelit dhe tërheqjen e forcave izraelite nga Gaza.
Netanyahu theksoi se çarmatimi i Hamasit duhet të jetë real dhe jo vetëm formal.
“Nuk mund të ketë një çarmatim fiktiv”, tha ai, duke shtuar se Izraeli është aktualisht në diskutime me zyrtarët amerikanë për mënyrën se si mund të vazhdohet procesi.
Kryeministri izraelit pranoi se palët kanë ende dallime të rëndësishme. “Ata kanë ide; disa prej tyre janë të pranueshme për ne dhe disa jo”, deklaroi Netanyahu.
Kundërshtimi i planit vjen në një moment politik delikat për Netanyahun, i cili përballet me presion nga aleatët e tij të krahut të djathtë për të mos bërë lëshime ndaj Hamasit. Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, e ka cilësuar draftin si “të papranueshëm”.
(A2 Televizion)