
Një pemë rreth 8 metra e gjatë është gjetur brenda kolektorit kryesor të ujërave të zeza në Bulevardin e Kasharit, duke zbuluar shkakun e një problemi që, sipas kryeministrit Edi Rama, kishte shqetësuar banorët e zonës për më shumë se një dekadë.
Kryeministri e bëri të ditur rastin përmes një postimi në rrjetet sociale, ku shkruan se prej vitesh, sa herë binte shi, ujërat e zeza përmbytnin bulevardin e Kasharit dhe përhapeshin në lagjet përreth, pavarësisht ndërhyrjeve të përsëritura.
Sipas kryeministrit, shkaku u zbulua përmes kamerave speciale nëntokësore, të cilat u futën në kolektor.
Rama e përdori rastin edhe për të rikthyer në vëmendje Reformën Territoriale, duke argumentuar se episode të tilla tregojnë nevojën për ndryshime në mënyrën e administrimit dhe menaxhimit të territorit.
POSTIMI
Për më shumë se një dekadë, sa herë binte një shi sado i shkurtër, ujërat e zeza merrnin mbarë bulevardin e Kasharit dhe shpërthenin nëpër lagje. Preventiva, ndërhyrje, rindërhyrje të pasuksesshme derisa dje u zbulua shkaku i vërtetë dhe i pabesueshëm i bereqetit të zi që sillte shiu sa herë binte mbi Kashar, ku përpara Reformës së Parë Territoriale, Komuna e Kasharit, një bastion krenar i demokratëve, ndërtoi kolektorin kryesor të ujërave të zeza në Bulevardin e Kasharit.
Kamerat speciale nëntokësore hynë brenda në kolektor dhe gjetën aty atë që zor se mund ta kapte edhe fantazia më e shfrenuar: Një trung peme 8 metrosh i shtrirë brenda tubit kryesor të ujërave të zeza.
Pra gjatë punimeve, një çinar i madh, 8 metra i gjatë që gjendej atypari, u pre dhe, në vend që të largohej nga kantieri, u “varros” brenda kolektorit!
Se çfarë u tha mendja atyre që e urdhëruan dhe e zbatuan këtë veprim kriminal vetëm Zoti e di, por kjo është edhe një kujtesë shumë konkrete për të gjithë ata që kanë harruar pse Shqipërisë i duhej Reforma Territoriale.
Sot pema është nxjerrë. Kolektori është çliruar. Dhe banorët e Kasharit nuk do ta kenë më taksiratin e faturës së një poshtërsie kriminale si ajo që i torturoi për më shumë se dhjetë vjet.
Shqipëria e re nuk është vetëm Europa e Ballkanit që po ndërtojmë, po edhe ajo që zbulon, pastron dhe korrigjon deformimet e mbetura ende në rrugën tonë nga Gropa e Zezë e Ballkanit që ky vend ishte kur ne morëm detyrën.
(A2 Televizion)