Artistët e ndaluar, Lumturi Blloshmi dhe ana tjetër e realizmit socialist

Nga Luela Myftari
9 Gusht 2026, 15:39 | Kulturë

Rrugëtimi i saj artistik nuk ka qenë i thjeshtë. Ndikimi i biografisë familjare dhe i kontekstit politik në krijimtarinë e saj, si edhe te mënyra se si Lumturi Blloshmi ndërtoi një gjuhë artistike krejtësisht personale, duke sfiduar kufijtë politikë dhe estetikë të kohës, është kthyer në një dialog mbi anën tjetër të realizmit socialist, atë të rrëfyer përmes veprave vizuale.

Lumturi Blloshmi lindi dhe jetoi në Tiranë. Babai i Blloshmit ishte oficer i Qeverisë së Mbretit Zog I dhe u ekzekutua nga komunistët kur Lumturia ishte vetëm dy muajshe. Kur ishte pesë vjeç, ajo humbi dëgjimin pas një infeksioni me meningjit. Blloshmi u diplomua në Degën e Pikturës në Akademinë e Arteve në Tiranë në vitin 1968.

Në vitin 1973 bëhet pjesë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, por nga viti 1974 deri në 1984 i hiqet leja krijuese, duke mos e lejuar të ekspozojë dhe vazhdojë praktikën e saj krijuese. Pas diplomimit, Blloshmi punoi si punëtore në shtypshkronjën Mihal Duri dhe ndonjëherë si ilustruese në shtëpinë botuese të librit shkollor deri në vitin 1989. Vetëm pas vdekjes së diktatorit, hapi ekspozitën e parë personale. Dhe vetëm pas ikjes së saj fizike nga kjo jetë, Ministria e Kulturës dërgoi veprat e saj si përfaqësuese e Shqipërisë në Bienalen e Venecias.

Jehonat e Kujtesës, një seri takimesh mbi artin, organizuar nga Muzeu Kombëtar i Përgjimeve Shtëpia me Gjethe, është edhe një nga mundësitë e shpërndarjes pakëz art sot që Galeria Kombëtare e Arteve vijon të mbetet e mbyllur për shkak të procesit të rikonstruksionit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos