Zbulohet plani amerikan për “rindërtimin” e Gazës

Nga A2 CNN
7 Maj 2025, 18:17 | Bota

Zbulohet plani amerikan për “rindërtimin” e Gazës

Burime për Reuters kanë zbuluar se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë zhvilluar diskutime për krijimin e një administrate të përkohshme në Gaza të drejtuar nga SHBA, pas përfundimit të luftës.

Sipas pesë burimeve që kanë njohuri nga diskutimet, administrata do të kishte karakter tranzitor dhe do të drejtohej nga një zyrtar amerikan, me qëllim ruajtjen e rendit, çmilitarizimin dhe stabilizimin e Gazës deri në krijimin e një administrate palestineze të qëndrueshme.

Diskutimet janë ende në fazë paraprake dhe nuk ka një afat të përcaktuar për kohëzgjatjen e kësaj administrate, pasi gjithçka do të varet nga zhvillimet në terren. Burimet e krahasuan këtë ide me Autoritetin e Përkohshëm në Irak pas pushtimit të vitit 2003, i cili u perceptua nga shumë irakianë si një pushtet okupator dhe dështoi në ndalimin e kryengritjes së armatosur, përpara se të dorëzonte pushtetin te një qeveri kalimtare në vitin 2004.

Në planin e diskutuar, parashikohet përfshirja edhe e vendeve të tjera në administratën e udhëhequr nga SHBA, por pa përmendur se cilat vende konkretisht. Sipas burimeve, kjo administratë do të përfshinte teknokratë palestinezë, por do të përjashtonte Hamasin dhe Autoritetin Palestinez (AP), i cili aktualisht ushtron kontroll të kufizuar në Bregun Perëndimor.

Hamasi, që ka qeverisur Gazën që nga viti 2007, e ka kundërshtuar prerazi këtë ide. Drejtori i zyrës së mediave të Hamasit në Gaza, Ismail Al-Thawabta, deklaroi se vetëm populli palestinez ka të drejtë të zgjedhë drejtuesit e tij, duke e refuzuar çdo lloj administrimi të huaj, shkruan A2 CNN.

Nga ana tjetër, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk pranoi të komentonte mbi ekzistencën e këtyre diskutimeve me Izraelin, duke theksuar se SHBA qëndron përkrah Izraelit dhe është e përkushtuar ndaj paqes dhe lirimit të pengjeve. Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nuk komentoi mbi këtë çështje.

Në një intervistë për Sky News Arabia, ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar konfirmoi se do të ketë një "periudhë tranzitore" në Gaza të mbikëqyrur nga një bord ndërkombëtar që do të përfshijë vende arabe, me pjesëmarrje palestineze nën udhëzimin e tyre. Ai theksoi se Izraeli nuk dëshiron të kontrollojë jetën civile në Gaza, por vetëm të sigurojë interesat e tij të sigurisë.

Propozimi për administratë të përkohshme amerikane bart rreziqe të mëdha politike për Uashingtonin, sipas dy burimeve, pasi mund të shihet si pushtim i ri amerikan në Lindjen e Mesme, duke rikthyer kujtimet e Irakut. Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat normalizuan marrëdhëniet me Izraelin në 2020, kanë propozuar një administratë ndërkombëtare për Gazën, me kusht që të përfshihet Autoriteti Palestinez dhe të ketë një rrugë të qartë drejt shtetësisë palestineze. Por Izraeli, sidomos Netanyahu, kundërshton çdo rol të Autoritetit Palestinez dhe refuzon sovranitetin palestinez.

Ndërkohë, Izraeli vazhdon ofensivën në Gaza dhe kërkon lirimin e 59 pengjeve të mbetura. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, mbi 52,000 palestinezë janë vrarë që nga nisja e ofensivës. Brenda koalicionit qeverisës izraelit, disa figura ekstreme kanë bërë thirrje për "migrim vullnetar" të palestinezëve dhe rindërtim të vendbanimeve hebraike në Gaza. Megjithatë, në diskutime të brendshme, disa zyrtarë izraelitë po shqyrtojnë opsione si ndarjen e territorit, krijimin e zonave të sigurisë dhe ndërtimin e bazave të përhershme ushtarake në Gaza. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos