5 mijë dollarë për çdo palestinez që pranon të largohet nga Rripi i Gazës; kontroll amerikan për 10 vite dhe resorte luksoze. Këto janë disa nga hapat që parashikon plani tronditës për ndërtimin e një Riviere të Lindjes së Mesme mbi rrënojat e Gazës. Zbulimin e bën Washington Post, e cila i referohet një plani postlufte për enklavën e copëtuar, i cili qarkullon brenda administratës Trump.
Sipas tij, territori do të vendosej nën administrimin amerikan për 10 vite, ndërsa transformohet në një resort turistik luksoz dhe në një qendër prodhimi dhe teknologjie high-tech, përcjell A2 CNN. Llogariten investime prej 100 miliardë dollarësh që, sipas planit, do të kthehen katërfish pas 10 vitesh, me fitime të vazhdueshme të vetëgjeneruara.
Dokumenti prej 38 faqesh, i parë nga e përditshmja Washington Post, parashikon një transferim të përkohshëm të rreth 2 milionë banorëve të Gazës përmes atyre që i quan largime vullnetare drejt një vendi tjetër apo në zona të rezervuara dhe të mbrojtura brenda enklavës gjatë rindërtimit.
Çdo palestinezi do t’i ofrohen 5 mijë dollarë kesh për t’u larguar, si dhe subvencione për të mbuluar 4 vite qira diku tjetër dhe 1 vit ushqim. Atyre që zotërojnë toka do t’u jepet një portofol digjital për të financuar një jetë të re në një vend tjetër ose për të siguruar një apartament në një prej 6 deri në 8 qyteteve inteligjente që do të ndërtohen në Gaza dhe që do të menaxhohen nga inteligjenca artificiale.
Në një projekt të ngjashëm, të siguruar nga Financial Times, këto fraza futuristike marrin formën e qiellgërvishtësve prej xhami e çeliku me një zonë industriale në veri, në kufi me Izraelin, ku do të prodhoheshin automjete elektrike dhe inovacione të tjera. Riviera e imagjinuar nga Trump do të shtrihej më pas në det me disa ishuj artificialë.
E pagëzuar si Fondi për Rindërtimin, Përshpejtimin Ekonomik dhe Transformimin e Gazës, propozimi është përpiluar nga po të njëjtët izraelitë që krijuan fondacionin humanitar për Gazën, i mbështetur nga SHBA dhe që tani shpërndan ndihmat në enklavë. (A2 Televizion)