
Një studim i ri shkencor ka zbuluar se Ötzi, njeriu i akullit që jetoi më shumë se 5 mijë vjet më parë në Alpe në kufirin midis Italisë dhe Austrisë, ishte i infektuar edhe me papillomavirusin njerëzor (HPV), konkretisht me tipin HPV16, një prej varianteve që sot lidhet me tumore gjenitale dhe të fytit. Përveç vuajtjes nga frakturat e kockave, parazitët e zorrëve, prishja e dhëmbëve, kolesteroli i lartë dhe intoleranca ndaj laktozës, kjo është e fundit që i shtohet listës së tij të problemeve shëndetësore.
Gjurmë gjenetike të virusit janë identifikuar në ADN-në e nxjerrë nga mumia e Ötzit, por edhe nga mbetjet e një individi tjetër të njohur si Ust-Ishim, një Homo sapiens që ka jetuar rreth 45 mijë vjet më parë në Siberinë Perëndimore. Zbulimi tregon se ky virus ka bashkëjetuar me njeriun që në kohë shumë të lashta.
Studimi është kryer nga biologë të Universitetit Federal të San Paolos në Brazil dhe është publikuar në platformën shkencore bioRxiv, ndërsa ende nuk ka kaluar procesin e rishikimit shkencor. Sipas autorëve, gjetjet mund të ndihmojnë në rishkrimin e historisë evolutive të HPV-së.
Sipas bioinformaticienes Juliana Yazigi, autores kryesore të studimit, kjo është prova më e vjetër e njohur e pranisë së HPV-së tek njeriu. Studiuesit sugjerojnë se ky variant i HPV-së duhet të ketë qarkulluar në speciet tona për një kohë të gjatë, saqë ka më shumë të ngjarë që speciet tona t'ua kenë transmetuar HPV16 Neandertalëve sesa anasjelltas.
Gjenetistë të tjerë e kanë cilësuar zbulimin si shumë domethënës, duke theksuar se njerëzit kanë qenë të infektuar nga këto viruse gjatë gjithë historisë së tyre.
(A2 Televizion)