
Qeveria e Japonisë ka miratuar një buxhet rekord për mbrojtjen, në një kohë kur tensionet me Kinën po rriten ndjeshëm, veçanërisht lidhur me çështjen e Tajvanit dhe sigurinë rajonale në Azi-Paqësor. Buxheti i ri për vitin fiskal të ardhshëm kap vlerën mbi 9 trilionë jenë (rreth 58 miliardë dollarë), duke shënuar një rritje prej 9,4% krahasuar me vitin e kaluar. Ky është viti i katërt i planit pesëvjeçar të Tokios për të dyfishuar shpenzimet ushtarake në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Plani përqendrohet në forcimin e aftësive kundërgoditëse dhe mbrojtjen bregdetare, përfshirë raketa tokë-det dhe sisteme të avancuara pa pilot. Rreth 100 miliardë jenë do të investohen për vendosjen e dronëve ajrorë, detarë dhe nëndetarë për mbikëqyrje dhe mbrojtje, në kuadër të një sistemi të quajtur “Shield”, që pritet të jetë funksional në vitin 2028, përcjell A2 CNN.
Kina ka reaguar ashpër ndaj këtyre zhvillimeve, duke akuzuar Japoninë se po nxit militarizimin e hapësirës dhe një “garë armatimesh hapësinore”. Pekini ka kritikuar gjithashtu bashkëpunimin ushtarak Japoni-SHBA dhe mbështetjen amerikane për Tajvanin.
Nga ana e saj, Japonia e konsideron Kinën si sfidën kryesore strategjike dhe thekson se politikat e saj mbrojtëse janë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe kushtetutën e saj të pasluftës, e cila lejon vetëmbrojtjen kolektive në rrethana të caktuara. (A2 Televizion)