Zelensky kërkesë Trump: Hajde vizito Ukrainën para se të bësh ndonjë marrëveshje me Rusinë

Nga A2 CNN
14 Prill 2025, 14:23 | Bota

Zelensky kërkesë Trump: Hajde vizito Ukrainën para se të

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka ftuar homologun e SHBA-së, Donald Trump të vizitojë vendin e tij përpara çdo marrëveshjeje me Rusinë për t'i dhënë fund luftës.

“Ju lutemi, përpara çdo lloj vendimi, çdo lloj forme negociatash, ejani të shihni njerëz, civilë, luftëtarë, spitale, kisha, fëmijë të shkatërruar ose të vdekur”, tha Zelensky në një intervistë për programin 60 Minuta të CBS.

Sipas mediave të huaja, intervista u regjistrua përpara se një raketë ruse të godiste qytetin e Sumy, duke vrarë 34 persona dhe duke plagosur 117 të tjerë.

Rusia tha se godet vetëm objektiva ushtarake ose të lidhura me ushtrinë, ndërsa Trump tha se i ishte thënë se ajo që kishte ndodhur ishte një gabim, pa specifikuar se kush ia kishte thënë, shkruan A2 CNN.

Kancelari në pritje i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka akuzuar Rusinë për një krim lufte, pas sulmit në Sumy të Ukrainës.

Sulmi në Sumy vjen ndërsa SHBA, aleati më i fortë ushtarak i Ukrainës, po kërkon përfundimin e luftës, tani në vitin e saj të katërt, përmes negociatave nën Trump.

I pyetur për sulmin, presidenti amerikan tha se ishte "i tmerrshëm" dhe shtoi se atij "i ishte thënë se ata bënë një gabim", por nuk dha detaje shtesë.

Më herët, i dërguari i posaçëm i Trump për Ukrainën, gjenerali në pension Keith Kellogg, tha se sulmi kishte kaluar "çdo vijë të mirësjelljes", shkruan A2 CNN.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse Trump do ta pranojë ftesën e Zelenskyt për të vizituar Ukrainën, përpara nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje armëpushimi me Rusinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos