I njëjti problem, bllokimi i pagës së magjistratëve, i mblodhi të hënën në Tiranë në dy takime të veçuara drejtuesit e prokurorive dhe të gjykatave të vendit. Gjatë takimit të zhvilluar në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme, drejtuesit e prokurorive vlerësuan se çështja kërkon zgjidhje të shpejtë, të qartë, të ligjshme dhe në respektim të standardit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Pa përmendur hapin konkret që do të hidhnin, mes një deklaratë për median, Prokuroria e Përgjithshme tha se në mbledhje u dakordësuar vijimi i trajtimit të çështjes përmes instrumenteve ligjore. Burime të A2CNN bënë me dije se mes diskutimeve për një kallëzim në SPAK dhe një padie civile në Administrative, më shumë gjasë ka të ndodhë e dyta. Ndërsa drejtuesit e gjykatave u bënë bashkë në ambientet e Gjykatës së Lartë.
Në një qëndrim të bërë publik pas mbledhjes gjyqtarët e konsideruan bllokimin e pagave, të shoqëruar me qëndrime të kundërta ndaj një vendimi kushtetues, si prekje të drejtpërdrejtë të pavarësisë së gjyqësorit dhe të autoritetit të rendit kushtetues.
Gjyqtarët vlerësuan si të pajustifikueshëm. pengimin e pagës së administratës gjyqësore, që nuk janë palë në debatin mbi formulën e pagës së magjistratëve. Në përfundim, mbledhja e kryetarëve të gjykatave kërkoi procedim të menjëhershëm të pagës së administratës gjyqësore, zhbllokim të pagës së magjistratëve dhe respektim nga çdo institucion të pavarësisë së gjyqësorit.
Bllokimi i pagës, që nuk ka cenuar vetëm magjistratët, nxiti në një bojkot të përkohshëm të punës, administratën e Gjykatës së Tiranës, në Dhomën Civile e Penale të saj. Sekretaret gjyqësore dhe ato të kryesekretarisë lanë zyrat për mbi një orë duke qëndruar në sheshin para gjykatës. Bojkotit të përkohshëm ju bashkua më vonë edhe administrata e Gjykatës së Apelit. Bojkoti ndërpreu përkohësisht jo vetëm zhvillimin e seancave, por edhe shërbimet që palët në proces, apo qytetarë të ndryshëm marrin në gjykatë. (A2 Televizion)