Gazetari Mentor Nazarko ngriti dyshime se aktorë të huaj mund ta përdorin protestën qytetare për destabilizim në Shqipëri.
Në një lidhje Live për emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Nazarko u shpreh skeptik nëse mosbindja civile mund të jetësohet në mënyrë masive që të bllokojë jetën institucionale dhe ekonomike.
“S’jam i sigurt nëse mosbindja civile do të jetësohet në mënyrë masive, në bazë të një skenari unik, që të bllokojë jetën institucionale dhe ekonomike. Unë ngelem gjithmonë mëdyshës në atë që protesta që kishte karakter qytetar, kishte edhe karakter masiv. Së dyti kam gjithmonë drojën që aktorë ndërkombëtarë mund ta përdorin protestën që një vend i vogël si i yni të destabilizohet”.
Po ashtu Nazarko vuri në dukje se protesta duhet të gjejë një formë që të dialogojë me forcat politike, mazhorancën apo opozitën.
“Ideale do ishte të gjendej një emërues i përbashkët, siç u gjet për 5 pikat, për një formë organizative, dhe një formë që do të duhet të dialogojë në një formë apo tjetrën me subjektet e jetës politike, qoftë me opozitën, qoftë me qeverinë”.
(A2 Televizion)