26 vjet nga masakra e Pastasellës. 106 persona u vranë nga serbët, Haxhiu: Kriminelët të dënohen

Nga A2 CNN
31 Mars 2025, 17:59 | Aktualitet

Kosova kujtoi sot një prej masakrave më të tmerrshme të kryera nga forcat serbe në Kosovë: atë në fshatin Pastasellë të Komunës së Rahovecit ku u vranë 106 civilë shqiptarë.

Homazhe u zhvilluan me rastin e 26-vjetorit të masakrës. Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se masakra kishte shfaqur brutalitetin dhe metodat çnjerëzore të forcave serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Sipas saj, e vërteta e kësaj tragjedie nuk mund të mohohet e as harrohet, prandaj duhet të sigurohen që krimet e kryera të mos mbesin të pandëshkuara.

“Ajo që e bën këtë masakër një nga më të tmerrshmet në Kosovë është brutaliteti dhe metodat çnjerëzore të përdorura nga forcat serbe. Ata torturuan shqiptarët, ndanë në grupe, vranë fëmijët para prindërve dhe gjyshërve të tyre dhe më pas i ekzekutuan të rriturit. Ishte strategji e qartë për të shkaktuar terror dhe shfarosje, për t'i torturuar në mënyrë çnjerëzore civilët ashtu që plagët e luftës të mos fshiheshin asnjëherë. Masakrat e kryera në Kosovë janë dëshmi e një strategjie gjenocidiale të planifikuar nga shteti serb. Jemi këtu, jo vetëm për të përkujtuar, por për të dëshmuar dhe për të kërkuar drejtësi për viktimat e pafajshme që u vranë, u masakruan, zhdukën me dhunë dhe u dëbuan nga trojet e tyre vetëm se ishin shqiptar. E vërteta e kësaj tragjedie nuk mund të mohohet, as harrohet. Jemi këtu për të mbajtur gjallë në kujtesën tonë kolektive. E kemi për detyrë që të sigurohemi që krimet e kryera të mos mbeten të pandëshkuara dhe kriminelët e luftës të përballen me drejtësinë. Edhe 26 vite pas ngjarjes, ende ka familjarë që kërkojnë trupat e të dashurve të tyre që rezultojnë të zhdukur, pasi shumë prej trupave të viktimave u dogjën”, tha Haxhiu.

Xhevahire Morina është nëna e Zaimit, një i ri i vrarë në masakrën e  Pastasellës. Në përvjetorin e tragjedisë, ajo i rikthehet kujtimeve të hidhura dhe rrëfen momentin e fundit kur pa të birin para se të vritej, fjalët që i tha dhe boshllëkun e lënë pas: "Kemi fol, jemi kënaq. I thojsha, lum nana mos shko andej, shkonte poshtë ka shkolla dhe jo përjpjetë. Erdh dhe i ka marrë çizmet dhe i mbathi, lum nëna shko ka shokët e tu, ka shkolla e kam pas fjalën e fundit, nuk e ka qel gojën hiq më, veç eci dhe më nuk e kam parë. S’e kam parë derisa jam shku në Rahovec, lypsha mos e kanë lënë nëpër bërllok... më pas e kuptuam”.

“Ishalla ai në lula të xhenetit, e për të ne të gjallët po e gëzojmë lirinë, dhe duhen falënderuar të gjithë", tha ajo.

13 persona i mbijetuan masakrës, ndërsa për të nuk është dënuar asnjë nga kriminelët serbë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos