Agjencia e Menaxhimit Emergjent: Situata me vërshimet, nën kontroll

Nga A2 CNN
18 Nëntor 2025, 16:24 | Aktualitet
Agjencia e Menaxhimit Emergjent: Situata me vërshimet, nën kontroll

 

Në pjesë të ndryshme të Kosovës janë raportuar vërshime me "intensitetit të ulët", tha Agjencia e Menaxhimit Emergjent.

Kjo agjenci, që publikoi në Facebook vendbanimet që janë përballur me vërshime, theksoi se gjendja është e “menaxhueshme dhe nën kontroll”.

Shiu i madh që filloi të bjerë të hënën natën ka detyruar kryeqytetin Prishtinë ta anulojë mësimin e ditës së martë.

Drejtoria e Arsimit në Prishtinë njoftoi në Facebook prindërit se mësimi është anuluar si masë parandaluese.

“Ju njoftojmë se për shkak të kushteve të përkeqësuar atmosferike, reshjeve të mëdha të shiut dhe vështirësive në komunikacion, në koordinim me Drejtorinë e Sigurisë dhe Emergjencave, Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe drejtorët përkatës të shkollave, procesi mësimor për ditën e sotme anulohet”, tha Drejtoria e Arsimit.

Të hënën mbrëma, Instituti Hidrometeorologji i Kosovës njoftoi se vendi do të përballej me reshje shiu në dy ditët në vijim, të cilat në disa zona pritet të jenë të intensitetit të lartë.

Të martën, hidrologu Bashkim Kastrati tha për Radion Evropa e Lirë se pjesa perëndimore e Kosovës është më e rrezikuara nga përmbytjet, si pasojë e mundësisë së daljes lumenjve nga shtrati.

“Këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta në disa lokalitete”, tha instituti, pa dhënë më shumë hollësi.

Ndërkohë, Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Prishtina" paralajmëroi të martën se ekziston rrezik i shtuar për vërshime në zonat e ulëta dhe pranë lumenjve gjatë ditës.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve t’i shmangin lëvizjet pranë lumenjve dhe kanaleve të ujërave.

Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.

Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos