Arrestimi i Popovic, Gjuriç: Serbia do marrë masat hakmarrëse

Nga A2 CNN
24 Korrik 2025, 20:20 | Aktualitet

Serbia ka zbuluar qasjen e saj tradicionale ndaj Kosovës, atë të presionit dhe kërcënimeve. I radhës vjen nga Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriç, i cili ka bërë të ditur se Beogradi do të sanksionojë vendimmarrësit të cilët qëndrojnë pas vendimit për arrestimin e Igor Popoviç, zyrtarit të të ashtuquajturës zyrë për Kosovën.

Në reagimin e tij për median serbe RTS diplomati i lartë serb ka njoftuar se masat hakmarrëse do të fillojnë që nga viti 2022 dhe deri më sot, shkruan A2.

“Popoviç është në burg si përfaqësues i shtetit të Serbisë, si dikush që mori pjesë në një shërbim përkujtimor për 47 serbë dhe romë të vrarë në zonën e Rahovecit dhe Hoçës së Madhe nga duart e UÇK-së. Pikërisht për shkak të këtij kualifikimi ndodhi arrestimi. Kjo është një përpjekje për të gjykuar Serbinë, për të gjykuar historinë, për të rishkruar të vërtetën historike rreth karakterit të UÇK-së”, tha Marko Gjuriç, ministri i Jashtëm serb.

Gjuriç gjithashtu kujtoi se Rezoluta 1160 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1998 dënon qartë aktivitetet UÇK-së dhe se Popoviç u arrestua në lidhje me diçka që po hetohet nga Dhomat e Specializuara për Krimet e UÇK-së në Hagë.

“Rasti i Rahovecit po gjykohet gjithashtu në Hagë. Popoviç u arrestua për t'u dërguar një mesazh serbëve, sepse ai është dikush që lufton për të drejtat e tyre dhe gjithmonë ka pasur për detyrë të ndihmojë njerëzit me probleme ligjore para institucioneve të Prishtines - se ata nuk janë të mirëpritur. Do ta shihni në ditët në vijim, një përgjigje shumështresore nga shteti po vjen, siç njoftoi Presidenti Aleksandar Vuçiç. Ne do të përgjigjemi ashpër, seriozisht dhe me përgjegjësi. Ne jemi të përkushtuar për paqe dhe stabilitet, nuk do të shihni asgjë nga ne që mund ta thellojë seriozitetin e pozicionit të popullit serb, por do të shihni hapa që do të godasin marrësit e vendimeve të tilla”, deklaroi Marko Gjuriç.

Gjuriç shtoi se janë dërguar udhëzime për të gjitha ambasadat serbe, veçanërisht ato në vendet e BE-së, që të rrisin nivelin e aktivitetit gjatë kësaj periudhe, pasi qëllimi është të ngrihet zëri, në mënyrë që rasti i Igor Popović-it të mos kalojë pa u vënë re dhe që ai të lirohet, si dhe 47 të burgosurit politikë në Kosovë.

Gjuriç gjithahsu nuk la pa përmendur edhe faktorin ndërkombëtar. Ai shtoi gjithashtu se regjimi i masave të vendosura nga BE-ja ndaj Prishtinës duhet të shtrëngohet dhe zgjerohet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos