Bashkimi Europian bën një hap pas përballë Serbisë. Përsëri çështja kryesore është Kosova. Komisionerja e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Bashkimi Evropian nuk i po kërkon Serbisë të njohë shtetin e Kosovës dhe shtoi se përparësia e Komisionit Evropian është ta mbajë Serbinë në rrugën evropiane.
Në një intervistë me median sllovene RTVSlo, kur u pyet pse nuk kishte simbole të BE-së në protestat në Serbi, "sikur dikush nuk donte të shkonte atje", ajo përsëriti se kishte katër grupe përgjigjesh për këtë pyetje.
“U takova dhe bisedova me të gjithë, jo vetëm përfaqësues të qeverisë serbe, por edhe protestues, studentë. I prita edhe në Bruksel. Kam kontakte shumë të rregullta me organizatat e shoqërisë civile. Është interesante që kur pyeta përfaqësues të ndryshëm, pasi siç thatë edhe ju nuk ka flamur evropian, pati rreth katër grupe përgjigjesh. E para, ata më thanë se ju mbështesni Vuçiçin. E dyta thonë se ju na bombarduat, por në fakt ishte NATO, jo BE. E treta është sepse ju doni që ne ta njohim Kosovën. Sigurisht që Bashkimi Evropian nuk e kërkon këtë gjë nga Serbia. Dhe e katërta, sipas tyre është se ata nuk duam ta kemi inat Rusinë. Pra, është një situatë e ndërlikuar, por përparësia e Komisionit Evropian është që Serbia të qëndrojë në rrugën evropiane, por nuk mjafton që ne ta themi këtë. Serbia, sigurisht, duhet të zbatojë një sërë reformash për të provuar se me të vërtetë e meriton anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, tha Marta Kos, Komisionerja e BE për zgjerim.
Në një intervistë të mëparshme me median gjermane, Deutsche Welle në fillim të korrikut, zyrtarja e lartë europiane foli për të njëjtën temë, se pse nuk ka flamuj të BE-së në protestat e studentëve, dhe dha të njëjtën përgjigje për katër grupe arsyesh.
Por përgjigjja e saj në lidhje me njohjen e Kosovë si kusht për t'u bashkuar me BE-në ishte dukshëm e ndryshme.
"Është çështje zgjedhjeje. Pra, askush nuk po e detyron Serbinë. Por kur thua - po, ne duam të bëhemi anëtar i BE-së, atëherë kjo duhet bërë. Duhen bërë shumë gjëra", theksoi Marta Kos. (A2 Televizion)