Kosovë, IKSHPK: Uji i Pishinës së Gërmisë nuk i plotëson standardet

Nga A2 CNN
24 Korrik 2025, 11:08 | Aktualitet

Kosovë, IKSHPK: Uji i Pishinës së Gërmisë nuk i

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur të enjten se rezultatet e mostrave laboratorike që janë marrë në pishinën publike të Gërmisë në Prishtinë, kanë treguar se nuk janë plotësuar standardet për ujin e saj.

Menaxhimin e kësaj pishine e ka ndërmarrja publike “Sport Marketing”, ndërsa IKSHPK-ja kryen kontrolle të cilësisë së ujit, në kuadër të mandatit që ka për mbrojtjen e shëndetit publik.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ekzistojnë një mori sëmundjesh që mund të shpërthejnë si pasojë e mosplotësimit të standardeve nëpër pishina, përfshirë sëmundjet e frymëmarrjes dhe ato gastrointestinale.

Në mesin e shqetësimeve tjera përfshihen irritimi i syve dhe lëkurës, dhe infeksione të ndryshme që manifestohen me diarre.

Ky lajm vjen teksa qytetarët e Prishtinës janë në kërkim të hapësirave për freskim, teksa temperaturat arrijnë deri në 38 gradë Celsius.

IKSHPK-ja ka thënë se ka marrë mostra të reja më 23 korrik dhe se rezultatet e tyre do të dalin të premten.

Pishina e Gërmisë është hapur këtë vit më 8 korrik dhe është e hapur çdo ditë./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos