Kjo e premte është një ditë e trishtë për Kosovën. Familjarë dhe kryeministri Albin Kurti bashkë me ministra e zyrtarë të tjerë bënë homazhe në ditën ndërkombëtare për persona të zhdukur familjarët në përmendoren e vendosur në Prishtinë. Të afërmit e personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë shprehën zhgënjim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për mungesën e progresit në zbardhjen e fatit të të dashurve të tyre. Kurti njoftoi fillimin e gërmimeve në Kozhle të Serbisë dhe 13 lokacione në Kosovë, ndërsa pati një thirrje për ndërkombëtarët.

“Aty është e vërteta sepse kjo brigadë ka kryer një numër të madh të masakrave në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës. Andaj, ne iu bëjmë thirrje edhe njëherë faktorëve ndërkombëtarë që ashtu siç na kanë ndihmuar me trysni mbi Serbinë që të fillojë ky gërmim në Sangjak midis Tutinit dhe Novi Pazarit, të bëjnë trysni mbi Beogradin që të ndërrohet vendimi, të merret një vendim i ri dhe arkiva e brigadës së motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave të hapet”, tha Kurti, raporton televizioni A2.
Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini, shprehu shqetësimet e tij. “Sa kemi bërë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve, ne si familjarë jemi shumë të zhgënjyer, jemi jo të kënaqur me institucionet as vendore, as ndërkombëtarë se fajin e ka Brukseli, ku ndërkombëtarët nuk e japin një urdhër që ata që dinë të na tregojnë ku janë më të dashurit tonë”.
Kanë kaluar më shumë se dy dekada nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe zyrtarisht janë mbi 1600 persona që rezultojnë të zhdukur. (A2 Televizion)
