"Janë bërë gabime të rënda ligjore", avokatët e Thaçit do të apelojnë vendimin e Hagës: Thirrje për qetësi në Kosovë

Nga A2 CNN
17 Shtator 2026, 19:26 | Aktualitet

Një ditë pasi gjykata e Hagës dënoi me 81 vite burg 4 ish-krerët e UÇK-së, ka ardhur edhe reagimi i avokatit të Hashim Thaçit. Në një postim në rrjetet sociale avokatët e ish-presidentit të Kosovës, kanë njoftuar se do të apelojnë vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke pretenduar se gjatë procesit gjyqësor janë bërë gabime të rënda ligjore, faktike dhe procedurale.

Përmes avokatëve, Thaçi shpreh mirënjohen për mbështetjen nga qytetarët dhe komuniteti ndërkombëtar dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë pas vendimit të djeshëm.

Mbrojtja pretendon se procesi është zhvilluar me mungesë paanshmërie dhe se konstatimet për fajësi janë mbështetur në prova të pamjaftueshme.

Sipas mbrojtjes, apeli do të fokusohet në shkeljet e pretenduara të së drejtës për një proces të drejtë gjyqësor, të garantuar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës. Thaçi ka mohuar çdo përfshirje në vrasje dhe kërkon rishqyrtimin e çështjes nga Gjykata e Apelit.

Postimi i plotë i avokatit të Thaçit në X:

Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e jashtëzakonshme që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga qytetarët e Kosovës dhe nga komuniteti ndërkombëtar. Ai u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë në reagimin e tyre ndaj padrejtësisë së djeshme.

Avokatët e zotit Thaçi do ta apelojnë aktgjykimin e djeshëm të Trupit Gjykues pranë Panelit të Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), duke pretenduar se janë bërë gabime të rënda ligjore dhe faktike, të cilat kanë cenuar drejtësinë e procesit gjyqësor.

Gjatë gjithë gjykimit, Mbrojtja ngriti në mënyrë të përsëritur shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, përfshirë shtrirjen e gjerë të pyetjeve të drejtpërdrejta të bëra nga anëtarët e Trupit Gjykues, në një mënyrë që nuk krijonte përshtypjen e paanshmërisë. Mbrojtja vlerëson se ndërhyrjet e gjyqtarëve e kapërcyen kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës, duke cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo mungesë paanshmërie tashmë përshkon edhe aktgjykimin e Trupit Gjykues.

Mbrojtja parashtron se konstatimet e Trupit Gjykues për fajësi përtej dyshimit të arsyeshëm mbështeten në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara nga burime të tjera. Për më tepër, Trupi Gjykues deklaroi dje publikisht se zoti Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit, pasi më parë kishte urdhëruar të gjitha palët në këtë çështje që të mos e diskutonin rastin e zotit Allaqi në seancë publike dhe kishte urdhëruar që të gjitha provat që lidheshin me këtë rast të mbaheshin konfidenciale.

Në këtë mënyrë, Trupi Gjykues e ka shpallur publikisht zotin Thaçi fajtor për një vrasje, ndërkohë që provat mbi të cilat e ka mbështetur këtë përfundim i ka mbajtur të fshehura nga shqyrtimi publik. Zoti Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave. Mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Trupit Gjykues për shkeljen e të drejtave të tij themelore për një proces të drejtë gjyqësor, të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës. Zoti Thaçi mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasje.

Respektimi rigoroz i standardeve të drejtësisë procedurale është thelbësor për ruajtjen e besimit të publikut tek institucionet ndërkombëtare të drejtësisë penale. Mbrojtja do ta dorëzojë zyrtarisht Njoftimin për Apel, me qëllim korrigjimin e këtyre gabimeve faktike, ligjore dhe procedurale nga Paneli i Gjykatës së Apelit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos