Nevenka Tromp është ish-anëtare e ekipit hetimor në tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë dhe autore e një libri mbi procesin e papërfunduar ndaj ish-presidentit serb. Sot, pas vendimit të Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së, eksperienca e saj merr një rëndësi të veçantë. Millosheviçi, lideri i regjimit serb që u përball me akuzat për krime në Kosovë, nuk mori kurrë një verdikt përfundimtar, ndërsa katër prej figurave kryesore të UÇK-së janë shpallur fajtorë për krime të kryera gjatë luftës.
Çfarë na tregon ky kontrast për drejtësinë ndërkombëtare? A mund të ndahet përgjegjësia individuale nga historia e një lufte për çlirim dhe çfarë do të mbetet në histori nga këto dy procese? Për këto dhe për shumë prej pyetjeve që ngre vendimi i fundit, Nevenka Tromp ishte në një lidhje direkte me “Rreth e Qark” në A2CNN.
Zonja Tromp, ju falënderoj shumë që jeni me ne sot. Është vërtet kënaqësi t’ju kemi në studio.
Faleminderit që më ftuat.
Ju keni kaluar vite duke hetuar çështjen e Millosheviçit, një lider serb i akuzuar për krime të kryera ndaj shqiptarëve të Kosovës. Sot, katër ish-drejtues të UÇK-së, të cilët luftuan kundër forcave të Millosheviçit, janë dënuar nga Gjykata e Hagës. Nga përvoja juaj si me çështjen e Millosheviçit, ashtu edhe me sistemin e drejtësisë në Hagë, si e kuptoni këtë kontrast kaq të fortë?
Në fakt, ju falënderoj për pyetjen. Ka disa mënyra se si mund të bëjmë një krahasim mes drejtësisë së dhënë nga Tribunali për ish-Jugosllavinë dhe drejtësisë që po jepet tani nga Dhomat e Specializuara të Kosovës. Dhe për këtë mendoj se do të ishte shumë e dobishme të ktheheshim te zhvillimi i drejtësisë penale ndërkombëtare.Mund të identifikoj tri qasje të ndryshme, të bazuara në praktikën juridike dhe në llojet e gjykatave. Pas vitit 1945, me krijimin e Tribunalit të Nurembergut dhe atij të Tokios, për herë të parë bota, qytetërimi, krijoi gjykata ndërkombëtare për t’u marrë me krime ndërkombëtare, si krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit. Ne e quajmë atë lloj drejtësie “drejtësi të fitimtarit”. Njëra palë, ajo që kishte fituar luftën, siguroi paratë dhe krijoi kushtet për proceset ligjore, të cilat ishin të aksesueshme për të gjithë viktimat dhe për mbarë botën, kundër autorëve që përfaqësonin elitën ushtarake dhe politike të regjimit nazist dhe të Japonisë fashiste. Pra, nga “drejtësia e fitimtarit”, kalojmë më pas në fundin e Luftës së Ftohtë, në vitet ’90. Tribunali për ish-Jugosllavinë, së bashku me Tribunalin për Ruandën, u krijuan në një situatë të re, në epokën e të drejtave të njeriut. Ideja ishte: nuk mund të kemi më drejtësi globale të fitimtarit, sepse çdo i pandehur tani është i mbrojtur dhe drejtësia e procesit gjyqësor garantohet nga një regjim shumë i zhvilluar i të drejtave të njeriut. Këtë qasje e quajmë “drejtësi për të gjithë”. Tribunali për ish-Jugosllavinë u angazhua në këtë proces duke u përpjekur të akuzonte të gjitha palët në luftë. Por ajo që është interesante është pikërisht kjo: drejtësia për të gjithë, në një masë të caktuar, funksionoi shumë mirë. Si? Të gjithë thoshin se shumica e autorëve të krimeve ishin serbë. Dhe Serbia thoshte: “Atëherë kjo duhet të jetë një çështje e institucioneve serbe.” Por, nëse shikon numrin e viktimave, shumica e tyre u dëmtuan nga autorë serbë. Pra, kjo pasqyronte realitetin në terren. Në të njëjtën kohë, shumica e dënimeve të Tribunalit për ish-Jugosllavinë ishin ndaj autorëve serbë, sepse Serbia ishte agresori kryesor. Ajo nisi një seri luftërash. Por, shikoni se çfarë bëri Tribunali për ish-Jugosllavinë, diçka që ishte absolutisht e jashtëzakonshme. Ai insistoi që, edhe përpara se të niseshin hetimet ndaj një individi, të duhej të ekzistonin vepra penale dhe prova fillestare – prima facie – që ta justifikonin këtë. Megjithatë, ata insistuan, pothuajse në një mënyrë politike dhe të politizuar, që të akuzoheshin edhe shqiptarët e Kosovës. Dhe kështu, në kuadër të kësaj qasjeje të “drejtësisë për të gjithë”, rezultati ishte shumë interesant. Kishte gjashtë të akuzuar nga pala shqiptare e Kosovës, në dy procese: njëri ishte procesi Haradinaj dhe të tjerët, me tre të pandehur, dhe tjetri, më i hershëm, ishte procesi Limaj dhe të tjerët, me tre të pandehur të tjerë. Të gjithë u shpallën të pafajshëm, me përjashtim të njërit. Dhe kështu, kjo qasje e “drejtësisë për të gjithë” dha rezultate të mira, sepse bëri dallimin mes palëve. Bëri dallimin mes autorëve serbë të krimeve, autorëve shqiptarë të Kosovës dhe autorëve kroatë. Edhe disa kroatë u shpallën të pafajshëm. Pra, ky ishte parimi. Dhe më pas kemi Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat janë krijuar mbi parimin e një institucioni mono-etnik. Mandati i tyre është të ndjekin penalisht vetëm njërën palë të luftës. Dhe pse? Jo sepse këtë e kërkonte realiteti në terren. Jo sepse Tribunali për ish-Jugosllavinë nuk mund ta bënte këtë. Tribunali e kishte pikërisht këtë mandat. E bëri këtë dhe pothuajse të gjithë të akuzuarit shqiptarë u shpallën të pafajshëm. Prandaj, Dhomat e Specializuara të Kosovës janë diçka që unë tani e quaj “drejtësi të humbësit”. Pse? Sepse u krijuan si një lloj mënyre për të qetësuar një Serbi shumë, shumë kokëfortë. Një Serbi që e humbi luftën – dhe jo vetëm luftën e Kosovës. Serbia i humbi të gjitha luftërat që nisi në vitet ’90. Por bota e jashtme, në një farë mënyre, dëshiron ta mbajë Serbinë në procesin e normalizimit, të negociatave dhe dialogut me Kosovën. Dhe Serbia është gjithmonë problematike. Në vitin 2010, kur Serbia nisi këtë fushatë për demonizimin e shqiptarëve të Kosovës dhe kriminalizimin e UÇK-së, bota e jashtme – të njëjtat shtete demokratike që kishin ndihmuar në krijimin e Tribunalit për ish-Jugosllavinë – në njëfarë mënyre iu nënshtruan presionit të Serbisë dhe vendosën të krijonin këtë gjykatë. Pra, kjo gjykatë nuk ishte krijuar kurrë për të dhënë drejtësi. Ishte një gjykatë e krijuar për të qetësuar palën serbe, humbësen e luftës. Dhe kjo është arsyeja pse debati sot është pothuajse i tepërt. Gjykata nuk mund të jepte drejtësi, sepse ajo nuk u krijua për të dhënë drejtësi.
Ajo ishte e njëanshme dhe e politizuar që nga dita e parë.
Procesi ndaj Millosheviçit përfundoi pa një vendim, sepse ai vdiq në paraburgim. A mendoni se fakti që ish-drejtuesit e UÇK-së tani janë dënuar krijon një tjetër lloj rekordi historik dhe juridik për luftën e Kosovës?
Absolutisht, absolutisht. Millosheviçi, i cili përqafoi një ideologji shumë raciste të Serbisë së Madhe, ku Serbia kërkonte të pushtonte territore shumë më të mëdha pas shpërbërjes së Jugosllavisë, kreu krime ndaj popullsive jo-serbe në territoret që kërkonte t’i aneksonte. Dhe më pas, pas vdekjes së Millosheviçit, nuk pati një përfaqësim të përshtatshëm politik të të akuzuarve serbë në Tribunalin për ish-Jugosllavinë. Në thelb, Serbia doli nga përgjegjësia penale shumë lehtë. Dhe e dini çfarë ndodhi dje? Unë u trondita nga ajo që e konsiderova mizorinë e gjyqtarit kryesues, Charles Smith, kur ai përmendi tri gjëra që, sipas meje, ilustrojnë thelbin e pyetjes suaj. Si do të lidhet rekordi historik dhe drejtësia tranzicionale pas luftës me faktin se një ish-drejtues i UÇK-së dhe ish-president i Kosovës është dënuar me 25 vjet burg? Kjo, de facto, për një president si Thaçi, i cili tashmë është në të 60-at, nënkupton një dënim të përjetshëm. Dhe përballë kësaj, nuk pati asnjë president të palës serbe, madje asnjë politikan, me përjashtim të Sainoviçit, i cili ishte krahu i djathtë i Millosheviçit kur bëhet fjalë për krimet në Kosovë. Ai u shpall fajtor nga ICTY për krimet dhe rolin e tij politik në to. Dhe e dini çfarë më dukej krejtësisht mizore? Kur po lexoheshin rrethanat lehtësuese që gjykata mori parasysh në përcaktimin e dënimit, gjyqtari kryesues tha se një nga faktorët lehtësues ishte fakti që Presidenti Thaçi, kur ishte president i Kosovës, bëri gjithçka që mundi për krijimin e kësaj gjykate, përballë një rezistence të madhe të brendshme. A mund ta imagjinoni? Një president i një shteti të mëparshëm, ish-presidenti i Kosovës, ndihmon në krijimin e kësaj gjykate dhe më pas akuzohet, gjykohet dhe dënohet me atë që, për shkak të moshës së tij, mund të jetë praktikisht burgim i përjetshëm. Dhe ju e dini, presidentët e tjerë që po e shohin këtë nga shtete ku situata është gjithashtu shumë e brishtë – po flas për Ukrainën dhe Zelenskyn – duhet të shqetësohen për këtë. Por le të kthehemi te arsyeja pse mendoj se kjo është kaq mizore. Pse Presidenti Thaçi, i cili i mbijetoi luftës, e fitoi luftën së bashku me komunitetin ndërkombëtar dhe NATO-n, do të ishte papritur kaq hezitues apo i dobët për të lejuar krijimin e kësaj gjykate dhe më pas për t’u akuzuar prej saj? Ka pasur gjithmonë një lloj ideje se ai ra nën presionin e Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian, të cilët kishin qenë miq shumë të rëndësishëm të Kosovës gjatë dhe pas luftës. Dhe pastaj lindi ideja se mund të kishte pasur një lloj marrëveshjeje: “Nëse na ndihmoni të krijojmë këtë gjykatë, ju nuk do të akuzoheni.” Unë mendoj se ky është një nga përshkrimet më të padrejta dhe më të cekëta të rolit të Presidentit Thaçi. Ajo që ai bëri ishte se, që nga dita e parë, UÇK-ja ishte e angazhuar që Kosova të bëhej e pavarur dhe një shtet liberal e demokratik. Dhe për këtë arsye u rreshtua me shtetet demokratike perëndimore.Dhe kur angazhohesh për këtë përparim qytetërues, për liberalizmin dhe demokracinë, si mund të thuash më pas, si president i Kosovës: “Ne pranojmë gjithçka që vjen nga demokracitë liberale, përveç drejtësisë penale ndërkombëtare?”.
A mendoni se zoti Thaçi bëri një gabim duke pranuar krijimin e Dhomave të Specializuara, apo sipas jush nuk kishte zgjedhje?
Nuk mendoj se ishte gabimi i tij. Ai sinqerisht dëshironte të bashkëpunonte me Perëndimin. Por mendoj se Perëndimi përfundimisht e tradhtoi Kosovën dhe popullin e Kosovës, duke vazhduar me këtë gjykatë, e cila u shty përpara vetëm nga Serbia dhe i shërbeu vetëm interesit politik të Serbisë, në një proces që në akademi tani e quajmë “laëfare” – luftë përmes ligjit. “Lawfare” do të thotë përdorimi i institucioneve ligjore dhe gjykatave si mjete lufte.
Dhe Serbia, meqë ra fjala, kurrë nuk i ka pranuar këto gjykata. Gjithmonë ka thënë se të gjitha këto gjykata janë anti-serbe, se e gjithë bota është kundër Serbisë. Por, tani e pranon këtë sistem kur mund ta përdorë për të vazhduar këtë luftë të veçantë që Serbia ende po zhvillon kundër Kosovës. Dhe pse? Sepse Serbia, pavarësisht humbjes së luftës, pavarësisht vendimeve të ICTY-së kundër individëve serbë, Serbia dhe Aleksandar Vuçiçi, apo çdo udhëheqës tjetër serb, nuk kanë hequr dorë kurrë nga aspiratat territoriale dhe pretendimet ndaj territorit të Kosovës.Dhe ky “laëfare” përmes kësaj gjykate vazhdon aty ku Serbia e humbi luftën e vërtetë.Dhe nuk është gabimi i politikanëve të Kosovës. Është fakti që ata u besuan aleatëve të tyre të luftës. U besuan aleatëve që ndihmuan pavarësinë e Kosovës dhe shtetësinë e saj. Dhe këta aleatë, në thelb, nuk e zbatuan në mënyrë konsekuente drejtësinë penale ndërkombëtare, por lejuan që drejtësia penale ndërkombëtare të politizohej. Nëse shikoni mënyrën se si gjyqtari kryesues Charles Smith tha gjithashtu: “Kjo nuk është kriminalizim i luftës çlirimtare të Kosovës. Nuk është kriminalizim i UÇK-së apo i ndonjë institucioni tjetër.” Nuk e di për çfarë po flet. Ai është gjyqtar dhe duhet të merret me ligjin. Tani që janë dhënë këto vendime, a mund t’i telefonojë Aleksandar Vuçiçit dhe t’i thotë: “Mos e keqpërdor dhe mos e interpreto gabimisht atë që ne kemi thënë”? Sepse Vuçiçi dhe Serbia po bëjnë pikërisht këtë, ndërsa ne flasim. Ata po e përmbysin plotësisht dikotominë agresor-mbrojtës, autor i krimit-viktimë.Tani duket sikur kriminelët më të mëdhenj të luftës çlirimtare kanë qenë drejtuesit e UÇK-së, ndërsa të gjithë kanë harruar Millosheviçin dhe autorët serbë të krimeve, të cilët kryen krime të jashtëzakonshme, krime kundër njerëzimit dhe, ndoshta, gjenocid. Krimet e Serbisë ndaj Kosovës nuk janë trajtuar kurrë në nivel shtetëror nga juristët dhe politikanët shqiptarë të Kosovës në mënyrën që duhej. Por nëse Charles Smith thotë: “Më besoni, kjo nuk është kriminalizim i luftës për çlirimin dhe shtetësinë e Kosovës apo i UÇK-së”, Vuçiçi nuk po e dëgjon. Ai po e përdor pikërisht këtë vendim për ta shtrembëruar më tej historinë dhe për të gjetur legjitimim nga të njëjtat shtete demokratike që mbështetën Kosovën, për të vazhduar pretendimet ndaj territorit të Kosovës.Dhe kjo është shumë e trishtueshme. Kjo është historia e trishtueshme e kësaj gjykate dhe e një narrative ligjore që ka shkuar krejtësisht në drejtimin e gabuar.
Po, në fakt, Serbia po e përdor tashmë këtë vendim për të mbështetur narrativën e saj të kahershme për luftën në Kosovë. Sa mund ta ndryshojë ky vendim mënyrën se si paraqitet lufta e Kosovës në Serbi dhe jashtë saj?
Nuk do të ndryshojë përgjithmonë njërën apo tjetrën narrativë, por i ka lejuar Serbisë, përmes kësaj “laëfare”, të marrë shumë më tepër argumente faktike për ta rishpikur dhe forcuar narrativën e saj për luftën dhe periudhën pas luftës.Dhe mos harroni: narrativa ushtarake dhe politike serbe pas luftës është narrativa e humbësit.Serbia e humbi luftën dhe tani po rikthehet në ring.Dhe kjo vazhdon.Por, nëse harrojmë narrativën dhe pyetjen se kush do ta fitojë historinë, vetë narrativa nuk është gjëja më e rëndësishme.E rëndësishme është se deri në çfarë mase ajo do ta ndihmojë Serbinë të rehabilitojë rolin e saj para dhe pas luftës. Dhe si do ta ndihmojë Serbinë me këtë narrativë: fillimisht mohimin e krimeve të veta, më pas glorifikimin e autorëve të dënuar nga Serbia për këto krime. Dhe tani, me këtë gjykatë, shohim se Serbia po kalon në fazën tjetër.Kjo është triumfalizimi.Serbia po thotë pa pikë turpi: “Po, ne i kryem krimet, por ia dolëm të shpëtonim pa u ndëshkuar.” Dhe e dini çfarë vjen pas triumfalizimit? Serbia po kthehet te politika e luftës dhe po përpiqet sërish të arrijë objektivat gjeopolitike që nuk arriti t’i realizonte gjatë luftës. Dhe fatkeqësisht, kjo “laëfare” po e ndihmon Serbinë. Dhe fatkeqësisht, komuniteti ndërkombëtar është jashtëzakonisht tolerant ndaj Serbisë.Ne shohim Ursula von der Leyen që telefonon Vuçiçin dhe e quan “miku im i dashur, Aleksandër”.Dhe pas varrimit të Ratko Mlladiçit, gjeneralit serb të dënuar për krime gjenocidale, të nesërmen Aleksandar Vuçiçi është në Paris dhe Emmanuel Macron fotografohet duke e përqafuar ngrohtësisht.
Pse, profesore? Pse kjo qasje ndaj Serbisë dhe Aleksandar Vuçiçit nga Perëndimi dhe Bashkimi Evropian?
Ky është një problem shumë, shumë i madh dhe një pyetje shumë e madhe. Dhe duket sikur kemi dy palë.Njëra palë është e sinqertë. Njëra palë vërtet dëshiron të bashkëpunojë me Perëndimin. Njëra palë vërtet dëshiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Dhe kjo është Kosova.Kosova bashkëpunon dhe ecën përpara. Dhe pastaj shohim se Kosova merret si e mirëqenë, ndërsa interesat e saj gjithmonë shtyhen për më vonë. Pesë vende të BE-së ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ndërkohë, ke një palë tjetër në këtë histori, Serbinë, e cila nisi luftërat, u soll keq gjatë luftërave, abuzoi me proceset e drejtësisë tranzicionale pas luftës, nuk hoqi kurrë dorë nga objektivat e saj origjinale gjeostrategjike, të përcaktuara që në vitet ’80 dhe ’90. Dhe komuniteti ndërkombëtar e trajton Serbinë si një palë shumë të vështirë. Dhe kjo është arsyeja pse Serbia duhet të qetësohet vazhdimisht. Ekziston një keqkuptim i përgjithshëm se, për shkak se Serbia është një vend i madh, ndodhet mes Lindjes dhe Perëndimit, Lindjes, Jugut dhe Perëndimit, dhe ka një numër të madh banorësh, ajo është çelësi për stabilitetin dhe sigurinë. Ky është një keqkuptim i madh. Ai daton që nga vitet ’70, kur kishim Jugosllavinë në Luftën e Ftohtë, e cila kishte këtë lloj pozicioni në Evropë, mes Lindjes dhe Perëndimit, mes komunizmit dhe kapitalizmit.Por Serbia nuk ka qenë kurrë, që nga vdekja e Titos dhe që nga ardhja e Millosheviçit në pushtet në Serbi në vitin 1989, çelësi i stabilitetit dhe sigurisë. Ajo ka qenë gjithmonë një faktor jashtëzakonisht destabilizues, prej të cilit stabiliteti i gjithë rajonit ende varet në një masë shumë të madhe. Dhe kjo është një pikëpyetje shumë, shumë e madhe. Është e çuditshme pse Perëndimi nuk sillet ndaj Serbisë siç u soll gjatë mandatit të dytë të Clintonit.Kur Madeleine Albright dhe administrata Clinton po merreshin me qeverisjen pas luftës në Bosnje dhe Hercegovinë dhe kur nisën problemet në Kosovë, e dini çfarë thoshin Madeleine Albright dhe Clinton? “Ne i njohim tashmë serbët. Nëse u jepni shumë hapësirë veprimi, ata do të sillen edhe më keq. Prandaj duhet t’i ndalojmë menjëherë këtu, në Kosovë.” Dhe një nga problemet me brezin e ri të Kosovës është se, nëse nuk do të keni më këta drejtues të UÇK-së që më vonë u bënë politikanë, atëherë do të keni një brez të ri politikanësh në Kosovë që përsëri mund të thotë: “Ne do të merremi me Serbinë nga perspektiva jonë”, sërish me shumë tolerancë. Thaçi dhe ky brez, që e dinin se çfarë ishte në gjendje të bënte Serbia gjatë luftës, nuk do t’u lejonin kurrë kaq shumë hapësirë veprimi. Dhe kjo është arsyeja pse, sipas meje, është një keqardhje shumë e madhe që kjo gjykatë u krijua ndonjëherë.Është absolutisht tronditëse që këta njerëz përfunduan jo vetëm në burg, por tani për dekada të tëra në burg, ndoshta, sepse këta janë njerëzit që mund ta menaxhonin vërtet marrëdhënien dypalëshe me Serbinë, por edhe në kontekstin shumëpalësh. Sepse ata e kishin mësuar shumë mirë se kush ishte Serbia dhe çfarë ishte në gjendje të bënte.Kosovës nuk i duhen më martirë.Nuk kemi nevojë që ata të vuajnë deri në fund të jetës në burg. Kosovës i duhen politikanë me atë lloj eksperience, të aftë të vazhdojnë këtë rrugëtim jashtëzakonisht të rëndësishëm. Dhe ky është zhvillimi i shtetësisë së Kosovës.Sepse Kosova është një shtet i ri dhe do të kërkojë shumë, shumë kohë për ta mbajtur në rrugën e duhur, në rrugën liberale dhe demokratike. Dhe në njëfarë mënyre, kjo gjykatë do të shkaktojë gjithashtu një ndërprerje në këtë rrugëtim. (A2 Televizion)