Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar para gazetarëve se, pavarësisht vështirësive për organizimin e takimeve të nivelit të lartë për shkak të situatës së brendshme politike, ekzistojnë ende tema ku Kosova mund të përfitojë nga dialogu me Serbinë, nëse kjo e fundit tregon qasje konstruktive.
Në njoftimin për shtyp pas takimit që kreu i ekipit negociator të Kosovës zhvilloi në Bruksel me të dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sorensen, thuhet se diskutimet u fokusuan në adresimin e pengesave të vazhdueshme nga Serbia dhe në çështje konkrete ku pala kosovare kërkon zgjidhje.
Bislimi ka theksuar se Serbia nuk i ka përmbushur obligimet në kuadër të menaxhimit të integruar të kufirit, duke përmendur dështimin për të ndërtuar tri pika kufitare.
Ai gjithashtu ka ngritur çështjen e mosreagimit të palës serbe ndaj propozimeve të Kosovës për hapjen e pikave sezonale në Dobrosin, Muhovc dhe Breznicë. (A2 Televizion)