Dita e Evropës në Prishtinë, Szunyog: Të punojmë për të përmirësuar raportet BE-Kosovë

Nga Ideal Gola
9 Maj 2024, 20:16 | Aktualitet

Dita e Evropës në Prishtinë, Szunyog: Të punojmë

Dita e Evropës u shënua me një sërë aktivitetesh në Prishtinë dhe me kryefjalë liberalizimin e vizave si të arriturën më të madhe për këtë vit.

Ambasadori i BE-së, i cili e mbyll mandatin këtë verë, Tomas Szunyog nuk u lëshua në deklarata politike por kërkoi punë për të përmirësuar raportet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“Mendoj se sot është dita të festojmë dhe pas kësaj dite të relaksohemi dhe që nga nesër të punojmë dhe të përmirësojmë edhe më shumë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, tha Tomas Szunyog, ambasador i BE në Kosovë.

Për qytetarët të cilin ishin në sheshin ku po festohej 9 Maji, Evropa nuk është treguar gjithmonë e drejtë me Kosovën, megjithëse ata kërkuan punë edhe nga institucionet vendore.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se kosovarët janë evropianë vetëm uroi që Kosova të bëhet formalisht anëtare e Bashkimit Evropian.

“Ne faktikisht vetëm se jemi evropianë, edhe me sjellje, edhe me kulturë, edhe me të gjitha, meritojmë të jemi pjesë e kësaj organizate apo këtij institucioni i cili na mundëson që ta zhvillojmë edhe më tutje, lirinë, demokracinë dhe bashkëpunimin me të gjitha vendet përreth”, tha Përparim Rama, kryetar i Prishtinës.

Dita e Evropës është festë zyrtare në Kosovë dhe si e tillë është një ditë pushimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos