Në fshatin Kozhle, afër Novi Pazarit në Serbi, nisi të mërkurën vlerësimi i lokacionit për shkak të dyshimeve për ekzistencën e një varri masiv, në përpjekje për të gjetur mbi 1,600 persona të zhdukur nga lufta në Kosovë.
Ky lokacion ka nisur të vlerësohet që nga viti i kaluar, por më pas është shtyrë nga pala serbe. Vetëm pas presionit të vazhdueshëm, edhe ndërkombëtar, Serbia ka filluar procesin e vlerësimit.
Të pranishëm ishin përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, përfaqësues të EULEX-it, të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe nga pala serbe.
“Kërkesat për t’u rikthyer në këtë lokacion kanë qenë një nga kërkesat e parashtruara në vazhdimësi, gjithnjë krahas kërkesave për rikthim apo inicim të gërmimeve në lokacionet e tjera tashmë të shënuara në territorin e Serbisë, duke filluar nga lokacioni me shumë prioritet për ne, siç është Batajnica, por edhe në zonat e tjera”, tha Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur.
Kosova kërkon bashkëpunimin e Serbisë dhe jo sabotimin e procesit, siç ka ndodhur me Kizhevakun dhe Rudnicën, ku janë zvarritur punimet për vite të tëra dhe nuk janë dhënë koordinata të sakta, shkruan A2 CNN.
“Vlerësimet e lokacioneve të tilla specifike pashmangshëm duhet të jenë të shoqëruara edhe me ofrimin e informatave nga arkivat përkatëse të institucioneve të Serbisë, të cilat pashmangshëm do të ndihmonin ose do të kontribuonin drejtpërdrejt në një menaxhim më të mirë të kohës, në saktësimin e lokacionit të varrit masiv dhe në ndjekjen e hapave të mëtejshëm në kuptim të zhvarrosjes së mbetjeve mortore dhe rikthimit të tyre në Kosovë, për t’u dorëzuar më pas familjeve për rivarrim”, tha Gara.
Lokacioni në Kozhle është shfrytëzuar si deponi mbeturinash që nga viti 1999. Për të arritur deri te zona e dyshuar, kërkohet largimi i tyre deri në një thellësi mbi 15 metra.
Po ashtu, gjatë dy muajve të fundit ka pasur zjarre të mëdha në këtë zonë, gjë që ka shqetësuar jo pak palën kosovare.
“Nga përgjigjja që kemi marrë, është konfirmuar ose është theksuar që zjarri nuk ka prekur zonën me interes, por prapë kjo do të shihet gjatë gërmimeve. Nga ana e ekspertëve do të vlerësohet cili ka mundur të jetë ndikimi ose impakti i zjarrit që ka përfshirë këtë zonë në lokacionin e mundshëm të varrit masiv”, u shpreh Gara.
Kosova kërkon që të bëhen gërmime për të pagjeturit nga lufta e fundit edhe në 17 lokacione në territorin e Serbisë. (A2 Televizion)