Gara e armatimit në Ballkan/ Kosova sheh nga NATO, Serbia nga Kina e Rusia

Nga Rosalba Bejdo
2 Tetor 2025, 22:41 | Aktualitet

Një miniaturë e rivaliteteve globale. Kështu e cilësojnë analistët rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku sfidat e sigurisë janë prezente edhe 25 vjet pas luftërave të shpërbërjes së Jugosllavisë.

Sikundër e gjithë Europa, edhe vendet e Ballkanit nuk bëjnë përjashtim nga gara e armatosjes në kontekstin e rritjes së sfidave e kërcënimeve, por mënyra se si po e bëjnë këtë, është e ndryshme dhe reflekton qartë orientimin e secilit prej tyre.  

Kosova dhe Serbia përbëjnë kontrastin më të qartë: ndërsa Kosova synon integrim më të thellë në NATO, Serbia ndërvepron edhe me Pekinin dhe Moskën. Beogradi ka shpenzuar në 5 vitet e fundit më shumë se çdo vend tjetër i rajonit për armatim, përcjell A2.

Vetëm në 2024, shpenzimet arritën 2,2 miliardë dollarë, pesë herë më shumë se Shqipëria që është anëtare e NATO-s dhe mbi dhjetë herë më shumë se Kosova. Kjo, sipas ekspertëve, të cituar nga Evropa e Lirë, duhet të jetë një sinjal alarmi. Si arsyetim për armatosjen e Serbisë, Vuçiç shpesh përmend “kërcënimet nga fqinjësia”, pa specifikuar se prej kujt.

“Ne nuk do të prekim askënd, vetëm do të mbrojmë territorin dhe integritetin tonë”, deklaroi në fillim të shtatorit në Pekin. Beogradi blen armatim nga Perëndimi dhe Lindja: avionë luftarakë Rafale nga Franca, dronë CH-92A dhe sistemet raketore FK-3 nga Kina. Ushtria serbe zhvillon stërvitje të përbashkëta me vendet anëtare të NATO-s në kuadër të programit “Partneriteti për Paqe”, por gjithashtu forcon bashkëpunimin me Kinën dhe Hungarinë.

Përpjekjet e tij për të ruajtur balancat mes të gjithëve, përfshirë Kinën dhe Rusinë, në një moment të caktuar mund t’i kthehen boomerang. Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, thotë se Kina kërkon pikëmbështetje në Evropë dhe Serbia, me nevojat e saj ekonomike dhe me lëkundjet e vazhdueshme mes Lindjes e Perëndimit, është partnere tërheqëse.

Shea nuk e përjashton mundësinë që Vuçiç, për shkak të trazirave të brendshme dhe tensioneve rajonale, të ndjekë një qasje më konfrontuese edhe ndaj fqinjëve.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos