Gjykata Komerciale pezullon vendimin e ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë

Nga A2 CNN
30 Korrik 2025, 20:33 | Aktualitet

Gjykata Komerciale pezullon vendimin e ZRRE-së për liberalizimin e

Gjykata Komerciale e Kosovës ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), që parasheh daljen e bizneseve në tregun e liberalizuar të energjisë elektrike.

Masa e pezullimit do të vlejë derisa Gjykata të marrë një vendimi përfundimtar për këtë çështje.

Në vendimin e publikuar më 30 korrik, lidhur me padinë e ngritur nga Proex kundër ZRRE-së, Gjykata Komerciale po ashtu vendosi që të anulojë njoftimin e lëshuar nga ZRRE-ja më 12 mars, përmes së cilit njoftonte kompanitë për dalje në tregun e lirë, duke e cilësuar si të kundërligjshëm.

“Të gjithë konsumatorët që sipas njoftimit të paditurës [ZRRE-së] do të dalin ne treg të lirë për t'u furnizuar me energji elektrike, janë njoftuar për një ndryshim me rëndësi kaq të lartë vetëm 2 muaj e gjysmë paraprakisht. E paditura, përveç faktit që ka dështuar qe këtë çështje ta rregullojë përmes aktitadministrativ, duke ju ofruar palëve arsyetimin, bazën ligjore, këshillën juridike si dhe çështjet e tjera me rendësi për një tranzicion të tillë, ka dështuar që fillimisht të ju ofroj konsumatorëve informata të nevojshme dhe jetike për këtë proces”, u tha në vendimin e Gjykatës.

Gjykata Komerciale tha se vendimi i ZRRE-së për të nxjerrë të gjithë konsumatorët në treg të lirë, të “bazuar në një interpretim të gabuar” të dispozitave ligjore, përbën shkelje të rëndë të ligjit, pasi sipas gjykatës ZRRE-ja i ka trajtuar në mënyrë të padrejtë konsumatorët, që sipas ligjit, plotësojnë të paktën një nga kriteret e kërkuara për dalje në treg të lirë.

“Rrjedhimisht, vendimi dhe njoftimi i të paditurës janë të kundërligjshme, si për nga përmbajtja ligjore ashtu edhe për nga forma procedurale, duke u bazuar në interpretim të pasaktë të dispozitave dhe zbatim të gabuar të normave në dëm të konsumatorëve”, tha Gjykata Komerciale, e cila po ashtu ka anuluar pikën 4 të vendimit të ZRRE-së, me të cilin, konsumatorët fundorë kanë të drejtë të furnizohen me energji elektrike në tregun konkurrues.

Vendimi i Komerciales vjen disa orë pasi Kompania për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) njoftoi se nga 31 korriku do të nisë shkyçjen nga rrjeti i të gjitha bizneseve që nuk kanë një kontratë me ndonjë furnizues të licencuar për rrymë dhe që deri më tani janë furnizuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), e cila po vepron si Furnizues i Mundësisë së Fundit (FMF).

Oda Ekonomike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale, duke e vlerësuar si vendim të rëndësishëm dhe që konfirmon shqetësimet e ngritura nga komuniteti i biznesit dhe nga kjo odë “lidhur me mënyrën e njëanshme dhe jo transparente të zbatimit të këtij procesi”.

“Në mungesë të një njoftimi të vlefshëm dhe në mungesë të një baze ligjore për zbatim, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon nga ZRRE që të anulojë vendimin e datës 05.04.2024, i cili nuk mund të prodhojë më efekte juridike. ZRRE është e detyruar të zbatojë aktgjykimet përfundimtare të gjykatës, dhe moszbatimi i tyre përbën shkelje të rëndë të rendit juridik që sjellë përgjegjësi penale”, u tha në reagimin e Odës Ekonomike të Kosovës./REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos