Operacioni në Ujman, FSK zbarkon në veri të Kosovës, gjen trupin e pajetë të 33-vjeçarit

Nga Rosalba Bejdo
29 Korrik 2025, 20:56 | Aktualitet

Pasditen e së martës është gjetur trupi i pajetë 33-vjeçarit në liqenin e Ujmanit në veri të Kosovës, pasi ishte hedhur nga një prej urave ditën e diel.

Gjetja e trupit të Rrahim Latifit u bë nga ekipi i kërkim-shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në të paktat raste kur ushtria e Kosovës shkel territorin më verior të vendit të banuar me shumicë serbe.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent konfirmoi se i kishte kërkuar FSK-së të ofronte ndihmë pasi përmes strukturave të saj nuk kishin arritur të gjenin trupin pas dy ditwsh kërkime, shkruan A2 CNN.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, konfirmoi se njësitet e specializuara të zhytjes dhe kërkim shpëtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës u angazhuan në Zubin Potok vetëm pas dakordimit me KFOR-in.

“Forca e Sigurisë së Kosovës në kuadër të detyrave të saj thelbësore ka edhe mbështetjen e autoriteteve civile. Në këtë aspekt në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Policinë e Kosovës dhe bashkërendim me KFOR, ekipe të specializuara të FSK, kanë filluar operacionin e kërkimit në liqenin e Ujmanit”, tha ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Ndërsa misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se FSK-së iu dha leje për të shkelur në veri nga gjeneralmajor Enrico Barduani.

Sipas tyre, leja ishte dhënë për arsye humanitare, ndërsa operacaioni u zhvillua nën kushte specifike të vendosura nga KFOR-i, shkruan A2 CNN.

“Angazhimi i FSK-së në këtë rast është në përputhje me mandatin e saj fillestar, i cili përfshin ndihmë për komunitetet lokale në raste fatkeqësive natyrore dhe operacione të kërkim-shpëtimit”, thuhet në deklaratën e KFOR.

Në bazë të një zotimit të vitit 2013, ushtria e Kosovës nuk guxon të dislokohet në 4 komunat veriore me shumicë serbe pa autorizimin paraprak të KFOR-it. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos