“Gjykata Speciale, me shkelje të rënda”, Liria ka emër: Shtetet financuese të ndërhyjnë, provat vijnë nga Serbia

Nga A2 CNN
10 Qershor 2025, 20:44 | Aktualitet

Platforma “Liria ka emër” ka shprehur shqetësimin lidhur me mënyrën se si po zhvillohet procesi gjyqësor në Hagë kundër ish pjesëtarëve të UÇK.

Në konferencë për shtyp u tha se po shkelen të drejtat e njeriut, duke theksuar se procesi ndaj Thaçit dhe të tjerëve është larg nga standardet evropiane.

Veç të tjerash, u bë thirrje që të rishqyrtohen praktikat e punës së Gjykatës Speciale. Ismail Tasholli nga platforma “Liria ka emër” tha se këto shkelje duhet të evidentohen, në këtë kohë kur procesi po shkon drejt fundit.

Në konferencën për media, Tasholli u bëri thirrje shteteve financuese të gjykatës, që të garantojnë që puna e gjykatës të zhvillohet në përputhje me parimet themelore të drejtësisë dhe standardeve ndërkombëtare.

Deputeti i PDK dhe juristi Përparim Gruda, tha se është shqetësuese mënyra se si po shkelet Kushtetuta e Kosovës dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga Gjykata Speciale.

Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020, nën akuzë për krime lufte.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos