Inlacioni rëndon qytetarët, Kosova vazhdon të varet nga importi

Nga Leonora Kolukaj
16 Nëntor 2026, 19:19 | Aktualitet

Inlacioni rëndon qytetarët, Kosova vazhdon të varet nga importi

Për shumë familje në Kosovë, përballimi i shpenzimeve mujore po bëhet gjithnjë e më i vështirë. Çmimet e produkteve esenciale, energjisë dhe shërbimeve të tjera po e rëndojnë buxhetin familjar, ndërsa varësia nga importi e bën ekonominë kosovare edhe më të ndjeshme.

Shqetësuese e vlerëson gjendjen edhe drejtori ekzekutiv i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti.

“E kemi një inflacion më të madhin në të gjithë rajonin, për të mos thënë edhe në Evropë. Në një vend si Kosova, që është jashtëzakonisht problematik sa i përket zhvillimit ekonomik, me një varfëri dhe ekonomi goxha të dobët. Po flasim për një rrozje ekonomike 3.6% normalisht që kjo ka ndikim shumë të madh në të bërit biznes. Pasi që bizneset tona, si për lëndë të parë, po edhe për çështje të tjera, varen nga importi, sepse nuk i prodhojmë ato”.

Sipas Ahmetit, për shumë familje, tashmë është vështirë edhe përfundimi i muajit pa hyrë në borxhe.

“Ne ka dy vite që i kemi kërkuar Ministrisë së Financave ta heqë taksën prej 10% për produktet esenciale, por nuk ka pasur gatishmëri, edhe sot e kësaj dite nuk ka gatishmëri. Konsiderojmë se ka pasur mundësi për të mbajtur një baraspeshë të rritjes së vazhdueshme të çmimeve. Shumica e qytetarëve nuk e kanë luksin me ble produkte të shtrenjta, por produkte të  konsumit ditor. Kanë rritje. Është rritur çmimi energjisë, është rritë çmimi i bukës që është një produkt bazik, janë rritur çmimet e derivateve për shkak të situatës së fundit me Hormuzit ose situata të tjera krizës në Ukrainë e krizave të tjera. Rritja e transportit ndikon në rritjen e produkteve”.

Presioni mbi buxhetet familjare, sipas Ahmetit, pritet të rritet edhe më tej gjatë vitit 2027, me paralajmërimin për shtrenjtimin e ujit, ngrohjes e mbeturinave.

Sipas ASK-së, inflacioni vjetor në Kosovë në tetor arriti në 7.1 për qind, ndërsa çmimet e ushqimit dhe pijeve joalkoolike u rritën për 3.2 për qind. Megjithatë, ekonomisti Jakup Bellaqa vlerëson se inflacioni ushqimor është dukshëm më i lartë.

“Nuk ka të dhëna të sakta, tek ne është inflacion edhe më i lartë. Tek ne ka inflacion ushqimor, jo inflacion total. Inflacioni ushqimor është diku mbi 17 për qind për produktet elementare bazike, ndërsa në ranglistën e produkteve bazike dhe jo bazike inflacioni total është më i ulët. Inflacioni ushqimor është më i lartë se në të gjitha vendet e rajonit”.

Ekspertët kërkojnë urgjentisht ndërhyrje institucionale, duke paralajmëruar për thellim të pasigurisë ekonomike. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë periudhës janar–tetor 2026, importi arriti në 6.3 miliardë euro, ndërsa eksporti në 960 milionë euro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos