
Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla në një prononcim për gazetaren e A2CNN Fjorela Beleshi, lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale për të dënuar me burg ish-krerët e UÇK, u shpreh se historia nuk shkruhet me vendim gjykate.
Balla theksoi se nuk kemi të bëjmë me një vendim drejtësie, por një akt-akuzë politike, të konfirmuar në Shkallën e Parë. Ai shtoi se do të ndiqen të gjitha rrugët juridiko-ligjore për rivendosjen e drejtësisë.
“Historia nuk shkruhet me vendime gjykate. Historia është shkruar me gjakun e shqiptarëve që luftuan për lirinë e Kosovës, me kontributin e pazëvendësueshëm të UÇK-së dhe komandantëve të saj. Shqiptarët në Kosovë në radhë të parë, me mbështetjen e aleatëve tanë do ndjekin të gjitha rrugët juridiko-ligjore për rivendosjen e drejtësisë në vend. Ky s’është vendim drejtësie, është një akt-akuzë politike, e konfirmuar në Shkallë të Parë”, tha Balla. (A2 Televizion)