Kërkohet liri për ish-krerët e UÇK, veteranët e “Liria ka Emër” nisen nga Prekazi për në Hagë

Nga Xhevahir Qardaku
15 Tetor 2025, 15:29 | Aktualitet

Nga Prekazi historik drejt Hagës me motoçikleta. Është ky misioni i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët kërkojnë liri për ish komandantët që luftuan për lirinë e vendit. Pasi bënë homazhe tek varret e familjes Jashari, rreth 150 motoristë shqiptarë nga vende të ndryshme të Kosovës dhe Europës në kuadër të platformës “Liria ka Emër” nisën marshin drejt qytetit të Holandës.

“Është një marsh simbolik qysh është një thirrje për drejtësi qëllimi është që arrijmë deri në Hagë atje ta bëjmë një parakalim të motoristëve pastaj të vazhdojmë në Bruksel ku kemi përgatitur një kërkesë që drejtësia të jetë transparente”, tha Ismail Tasholli, Liria ka Emër.

Bashkëluftëtari, Nasim Haradinaj tha se ky marsh simbolik është thirrje për drejtësi dhe kërkesë qe procesi gjyqësor në Hagë të përfundojë sa ma shpejt dhe të jetë i drejtë, shkruan A2 CNN.

“Ne nuk duam të ndikojmë në drejtësi por duam të themi se kjo drejtësi nuk po monitorohet. Prandaj, kjo le të jetë thirrje edhe për ndërkombëtarët, por edhe për qeveritarë dhe gjithë ata njerëz që mendojnë që drejtësia është vlera kryesore. Dhe nëse drejtësia është vlera kryesore liderët tanë të gjithë shokët që janë në Hagë do të na kthehen të pafajshëm dhe ajo është fitore për ne dhe fitore më e madhe për Kosovën”, tha Nasim Haradinaj, veteran i UÇK.

Haradinaj tregoi edhe gjithë rrugëtimin që do ta bëjnë drejt Hagës bashkë me motoristët.

“Prej këtu shkojmë në Poklek pastaj Gllogjan-Deçan, nga Gllogjani do të shkojmë në Koshare nga Kosharja në Mejë tek masakra e madhe që është bërë atje, të jetë edhe simbol për evropianët se nganjëherë si duket i kanë harruar masakrat nga aty në Landovic meqenëse aty do të kthehet rruga për Morinë për në Durrës ku do jetë trageti dhe Ankon dhe pastaj në Cyrih ku do të mbledhin motoristë shqiptarë nga Italia, Gjermania, Austria… dhe nga Duseldorf do të shkojmë në Hagë dhe në Bruksel.”

Për tu dal në mbështetje ish-krerë e të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi më 17 tetor në Tiranë do të mbahet protestë mbarëkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos