Komandanti i KFOR-it, gjenerali turk, Ozkan Ulutas, ka njoftuar për vizitën e tij që ka pasur në Bruksel, e ku është takuar me ambasadorët e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s dhe partnerëve që kontribuojnë me trupa në misionin e KFOR-it.
Ulutas përmes një komunikate të lëshuar nga KFOR, ka thënë se derisa po i afrohet fundit të mandatit të tij si Komandant i KFOR-it, dëshiron të reflektojë për një vit të ngarkuar, si për të personalisht ashtu edhe për situatën e sigurisë në Kosovë, shkruan A2 CNN.
Ushtaraku turk ka thënë se në muajt e fundit ka parë vendosmërinë e popullit të Kosovës përtej historisë komplekse dhe ka thënë se pavarësisht dallimeve, të gjitha komunitetet në Kosovës ndajnë shpresën e përbashkët për një të ardhme paqësore dhe të begatë.
Ulutas ka thënë se për fat të keq, shumë sfida vazhdojnë të mesin, tensionet janë ende të pranishme dhe se mosbesimi ndërmjet komuniteteve e pengon përparimin, shkruan A2.
“Për fat të keq, shumë sfida mbeten. Tensionet ende janë të pranishme, dhe mosbesimi ndërmjet komuniteteve pengon përparimin”, ka thënë Ulutas në fjalën e tij.
Më tej, ai ka folur edhe për dialogun e Brukselit, që Ulutas thotë se po përballet me pengesa. (A2 Televizion)