A2 CNN në Banjskë, manastiri mbyll dyert 1 vit pas sulmit

Nga Ideal Gola
24 Shtator 2024, 21:12 | Aktualitet

Radosllav Markoviç është i vetmi serb në Banjskë që në njëvjetorin e sulmit pranoi të fliste për A2 CNN, megjithëse kur pyetet për atë që ngjau vitin e kaluar fjalët i ka të pakta. Për të, e rëndësishme është që situata tani është e qetë, por shfaq edhe propagandën serbe me të cilën u shoqërua kjo ngjarje.

“Vitin e kaluar ka pasur incidente, këtu u fol se ishte bërë qëllimisht që njerëzit të shpërngulen nga fshati, unë nuk i besoj shumë kësaj teze. Tani situata është e qetë, nuk kemi ndonjë telashe, nuk kemi probleme”, tha Radosllav Markoviç, i vetmi qytetar serb që pranoi të fliste.

Për qetësinë që mbizotëronte në Banjskë kishte edhe një arsye tjetër. “Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit nën ombrellën e së cilës është edhe Manastiri i Banjskës ka vendosur që hapësirat e manastirit të mbyllen gjatë kohës sa shënohet njëvjetori i sulmit terrorist të 24 shtatorit të vitit 2023”, shkruan A2 CNN.

Paralelisht me ceremoninë shtetërore për të nderuar rreshterin policor Afrim Bunjaku në Banjskë, lart në mal, nga ku disa prej terroristëve u kapën e shumë të tjerë ikën pati një tjetër ceremoni. “Një grup i vogël qytetarësh serb kanë bërë homazhe për tre terroristët e vrarë nga njësitë speciale gjatë operacionit policor në përgjigje të sulmit të Banjskës vitin e kaluar”.

Pas sulmit të Banjskës, policia sekuestroi një sasi të madhe të armatimit që ishte futur nga grupi terrorist që synim kishte aneksimin e veriut të Kosovës. Por tani, një vit pas, gjërat kanë ndryshuar.

“Situata e sigurisë është shumë më e mirë. Derisa vitin e kaluar çdo moment e kemi ditur që ka mundësi me ndodh diçka ngjashme, tash ne jemi shumë më të përgatitur që të reagojmë”, tha Veton Elshani,
zv/drejtor i policisë në veri, për A2 CNN.

Për Qeverinë, policia i ka bindur të gjithë se është e aftë të mbrojë Republikën nga grupet paramilitare, por është e bindur që me investimet në fushën e mbrojtjes, është e aftë të mbrojë vetën edhe nga ndonjë sulm klasik.

“Nëse në tërësi del nga kontrolli ushtria e Serbisë dhe zbavitet me idenë që të kalojë kufirin, them me siguri të madhe se Republika e Kosovës tani është në gjendje ta përballojë edhe një gjë të tillë, natyrisht askush nuk e shpreson një skenar të tillë por patjetër se mund të konstatojmë jemi shumë më ndryshe sa që kemi qenë përpara”, tha Arbër Vokrri, zv/ministër i pushtetit lokal.

Procesi gjyqësor në rastin Banjska pritet të nisë zyrtarisht të mërkurën e 25 shtatorit ku para drejtësisë fillimisht do të dalin tre terroristët e arrestuar një vit më parë.

“Kjo është hapësira ku dronët e Policisë së Kosovës për herë të parë identifikuan Milan Radoiçiç, një emër i njohur për autoritetet në Kosovë. I cili është cilësuar si kryeterrorist dhe organizator i grupit që sulmoi Republikën e Kosovës. Për Radoiçiçin dhe 44 të tjerë tashmë ka një aktakuzë nga Prokuroria Speciale e Kosovës për vepra të rënda terroriste”, shkruan A2 CNN.

Përpos sekuestrimit të armëve e municioneve, gjatë një viti, në komunat veriore është tentuar të shtrihet sovraniteti i Kosovës.

“Mbyllja e strukturave paralele në komunat veriore me shumicë serbe por edhe disa institucioneve që funksionin në mënyrë ilegale sikurse edhe posta e Serbisë, tashmë janë mbyllur pas një operacioni policor. Në Banjska tashmë ka një pikë statike të Policisë së Kosovës ndërkohë që shërbimet i ofron edhe Posta e Kosovës”

Aksione të tilla kanë nxitur reagimin e ndërkombëtarëve por Prishtina zyrtare është e bindur ne ligjshmërinë e vendimeve të saj.

Gjithashtu, nënvizohet edhe bashkëpunimi me qytetarët serbë në këtë anë. “Se ata i besojnë institucioneve të Republikës së Kosovës është dëshmuar katërcipërisht, natyrisht nuk ka qenë e pritshme në start 100% e tyre të integrohen dhe të bëjnë pjesë e jetës institucionale por ajo gjë ka marr hov”, u shpreh Arbër Vokrri, zv/ministër i pushtetit lokal.

“Bashkëpunimi është shumë i mirë, ne kemi më shumë raste te paraqitura 6-mujorin e parë të këtij viti, pra të vitit 2024 sesa në tërë vitin 2022 për shembull, kështu që ka vend gjithmonë për përmirësim, sidoqoftë bashkëpunimi është shumë i mirë dhe jemi në ngritje të bashkëpunimit edhe më shumë”, tha Elshani për A2 CNN.

“Për të ardhur në fshatin Banjskë ju patjetër tashmë duhet të kaloni në rrugën "Afrim Bunjaku". Pikërisht në vendin ku ai ra, më 24 shtator 2023, në mbrojtje të territorit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës gjendet tabela që mban emrin e heroit më të ri të Kosovës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos